Gjermania lëshon një urdhërarrest për shpërthimin në “Nord Stream”
2024-08-17 12:39:02

Northstream (Foto Rtsh)

Prokurorët gjermanë lëshuan urdhërarrestin e parë ndaj një shtetasi ukrainas, i cili besohet se kishte jetuar në Poloni së fundmi, në kuadër të hetimeve mbi shpërthimin në thellësi të detit në vitin 2022 që dëmtoi tubacionet e gazsjellësit “Nord Stream” që transportonte gazin rus drejt Gjermanisë, njoftuan mediat gjermane, citon “RTSH”.

Prokurorët në Poloni thanë se morën një urdhërarrest për një të dyshuar ukrainas, por thanë se ai ishte larguar nga vendi përpara ekzekutimit të vendimit.

Televizioni publik gjerman “ARD”, e përditshmja “Sueddeutsche Zeitung” dhe gazeta e përjavshme “Die Zeit”, në një artikull të përbashkët, raportuan se prokurorët kishin lëshuar në qershor një urdhërarrest ndaj një shtetasi ukrainas, i cili besohet se kishte jetuar në Poloni së fundmi. Në raportin e mediave, i cili nuk citonte burime, ky person u identifikua si Wolodymyr Z.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm gjerman bëri të ditur se nuk komenton raportet e mediave apo urdhërarrestet.

Por, Zyra e Prokurorit kombëtar të Polonisë konfirmoi që prokurorët e qarkut në Varshavë kishin marrë një urdhërarrest europian për shtetasin ukrainas Wolodymyr Z. nga autoritetet gjermane në qershor, pa dhënë detaje se për çfarë akuzash bëhet fjalë.

Zyrtarët thanë se autoritetet nuk kanë arritur ta arrestojnë atë, ngaqë ai kishte kaluar kufirin nga Polonia në Ukrainë në fillim të muajit korrik.

Shpërthimet e 26 shtatorit 2022 dëmtuan tubacionet, të cilët ishin ndërtuar për të transportuar gazin natyror nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik. Dëmi nga shpërthimi përshkallëzoi tensionet në Ukrainë, pasi shtetet europiane morën hapa që të ndërpresin furnizimin nga burimet energjitike ruse.

Autoritetet suedeze dhe daneze i mbyllën hetimet e tyre në shkurt, duke lënë prokurorët gjermanë si të vetmit që po vazhdojnë hetimet mbi këtë incident.

Shpërthimet dëmtuan tubacionet e gazsjellësit “Nord Stream 1”, që ishte rruga kryesore e furnizimit me gazin natyror nga Rusia në Gjermani deri në muajin gusht të vitit 2022, kur Rusia ndërpreu furnizimin.

Shpërthimet po ashtu dëmtuan gazsjellësin “Nord Stream 2”, i cili kurrë nuk u vu në funksionim, ngaqë Gjermania pezulloi procesin e certifikimit pak pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë. (Irma)