Foto nga MPJ
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të enjten me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Laosit Saleumxay Kommasith në Çiang Mai të Tajlandës.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), vuri në dukje që Kina dhe Laosi e kanë mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin me sinqeritet dhe duke dhënë ndihmë të ndërsjellë. Tregtia dypalëshe vazhdon të rritet, kapaciteti i transportit i hekurudhës Kinë-Laos ka arritur lartësi të reja, shkëmbimet njerëzore janë rritur ndjeshëm dhe bashkëpunimi në çështjet ndërkombëtare e rajonale është bërë më i ngushtë.
Kina e mbështet fuqimisht Laosin në ndjekjen e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve kombëtare të tij, në rolin si vend kryetar i radhës i ASEAN-it dhe në forcimin e mëtejshëm të ndikimit të tij ndërkombëtar e rajonal, tha kreu i diplomacisë kineze.
Ai shtoi se Kina është gjithashtu e gatshme të thellojë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë me Laosin në fusha të ndryshme, të maksimizojë përfitimet e gjithanshme prej hekurudhës Kinë-Laos, të trajtojë së bashku pengesat dhe të përshpejtojë zhvillimin e përgjithshëm përgjatë hekurudhës në shërbim të zhvillimit e rilindjes së të dy vendeve.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Laosit Saleumxay Kommasith theksoi se zhvillimi i shpejtë i bashkëpunimit laosiano-kinez ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit të tij.
Pala laosiane është e gatshme të punojë me palën kineze për të vënë në jetë konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e të dy vendeve, për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë, për të thelluar bashkëpunimin në fushën e ndërlidhshmërisë e të burimeve minerale, për të luftuar së bashku krimin ndërkufitar dhe për të nxitur arritjen e rezultateve të reja në ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët Laos-Kinë, duke sjellë përfitime të mëtejshme për popujt e të dy vendeve.