Fjala kyçe: 忏悔---[chàn huǐ]---rrëfim
79 vjet më parë, më 15 gusht, Japonia shpalli kapitullimin pa kushte. Populli kinez arriti fitoren e madhe në luftën kundër agresorëve japonezë, pas betejave të përgjakshme 14-vjeçare dhe sakrificave kolosale kombëtare.
Në mëngjesin e kësaj dite, kryeministri japonez Fumio Kisida, në emër të kryetarit të Partisë Liberaldemokrate, ofroi para blatimi për tempullin "Jasukuni", ku nderohen kriminelët e kategorisë A të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa disa politikanë janponezë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes e figura të tjera, bënë homazh në tempullin "Jasukuni".
Hidero Shimizu në një konferencë shtypi më 5 korrik 2024 në Japoni / foto nga CFP
Ndërkohë, 94-vjeçari Hidero Shimizu, anëtar i "Repartit 731" të ushtrisë së dikurshme japoneze, vizitoi qytetin Harbin për t'u rrëfyer e për të kërkuar falje.
Veprimet e politikanëve japonezë janë në kontrast të fortë me ndërgjegjësimin e një veterani japonez që është penduar për krimet, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), duke shtuar se një gjë e tillë e bën botën të jetë thellësisht e shqetësuar dhe të forcojë vigjilencën për prirjen e rrezikshme të rigjallërimit të imperializmit japonez.
Gjatë kësaj vizite në Kinë, Hidero Shimizu u rrëfye përpara Monumentit të Kërkimit të Faljes dhe të Paqes, vizitoi muzeun e dëshmive të krimeve të "Repartit 731" të ushtrisë pushtuese japoneze në Kinë dhe identifikoi vendndodhjen e disa laboratorëve të dikurshëm të luftës bakteriologjike.
Hidero Shimizu u rrëfye përpara Monumentit të Kërkimit të Faljes dhe të Paqes në qytetin Harbin më 15 gusht 2024/ foto CFP
Gjatë mbi 70 vjetëve, Hidero Shimizu ka vuajtur nga makthet. Rëndësia e kësaj vizite të tij është dëshmimi dhe zbulimi nga afër i krimeve të fshehura të "Repartit 731", duke demaskuar më tej orvatjet e palës japoneze për mbulimin e krimeve të këtij reparti. Kjo mishëron jo vetëm ndërgjegjen dhe guximin e tij të madh, por paralajmëron edhe një pjesë të japonezëve se të vërtetat janë të pambulueshme dhe krimet janë të pamohueshme, komenton CMG-ja.
Tabela për vendndodhjen e "Repartit 731" / foto CFP
Vetëm duke nxjerrë mësime nga historia mund të ecet në rrugën e duhur drejt së ardhmes. Por shihet nga të gjithë se çdo 15 gusht dhe në ditë të tjera me rëndësi, një pjesë politikanësh japonezë të krahut të djathtë bëjnë homazh në tempullin "Jasukuni", duke u orvatur për rigjallërimin e imperializmit. Me nxitjen e forcave të krahut të djathtë, në tekstet mësimore të historisë së Japonisë janë hequr përmbajtjet lidhur me luftën e agresionit ndaj Kinës dhe emërtimet "lufta e agresionit kundër Kinës" dhe "Masakra e Nankinit" janë zëvendësuar me "lufta midis Japonisë e Kinës" dhe "Ngjarja e Nankinit". Ndërkohë, në këto tekste Japonia, nga "shpërthyese e luftës", cilësohet si "viktimë e luftës".
Hidero Shimizu e kritikon këtë qëndrim, duke thënë se lufta ishte shumë tragjike, por qëndrimi i autoriteteve japoneze të ngjall zemëratë, sepse ata bëjnë të gjitha përpjekjet për të mohuar ekzistencën e "Repartit 731" dhe nuk tregojnë respekt për të vërtetën historike e nuk shfaqin pendesë për përgjegjësinë e Japonisë për luftën.
Dëshmitë e krimeve të e "Repartit 731" / foto CFP
Të gjitha këto tregojnë se Japonia po orvatet të përsërisë rrugën e fuqisë ushtarake, gjë që do të përbëjë një rrezik të ri për paqen e qëndrueshmërinë në Azi.
"Nëse nuk lejohen fëmijët të njohin historinë e vërtetë, si edhe pasojat e rënda prej luftës, Japonia nuk mund të ketë të ardhme," theksoi Hidero Shimizu.
Një pendim dhe një rrëfim i tillë duhet të bëhen konsensusi i qarqeve politike të Japonisë. Nëse pjesë e japonezëve mbeten ende të pandërgjegjshëm dhe orvaten të përdorin dhunë, ata do të pësojnë patjetër ndëshkimin e historisë dhe do ta çojnë vendin e tyre përsëri në humnerë, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)