Foto nga VCG
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës i kërkoi të enjten Japonisë të mbetet e kujdesshme ndaj problemeve historike, si çështja e tempullit "Jasukuni", të shkëputet qartas nga militarizmi dhe të qëndrojë në rrugën e zhvillimit paqësor.
Sipas raportimeve, kryeministri japonez Fumio Kishida bëri një ofertë rituali "tamagushi" në cilësinë e kryetarit të Partisë Liberaldemokrate në tempullin "Jasukuni" të enjten. Anëtarët e kabinetit, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes Minoru Kihara, ministrin përgjegjës për Rigjallërimin Rajonal Yoshitaka Shindo dhe disa anëtarë të Dietit Kombëtar, parlamenti japonez, bënë nderimet e tyre në këtë tempull.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me këtë, zëdhënësi i diplomacisë kineze Lin Jian tha të enjten se 79 vjet më parë si sot, Japonia pranoi Proklamatën e Potsdamit dhe shpalli dorëzimin pa kushte.
“Populli kinez, së bashku me popujt e tjerë të botës, mundi agresorët e fashizmin militarist japonez”, tha Lin, duke shtuar se kjo ishte një betejë vendimtare mes së drejtës dhe së keqes, dritës e errësirës, përparimit e regresit.
“Kjo fitore e madhe, një moment historik, meriton të kujtohet nga bota,” theksoi ai.
Lin shtoi se tempulli "Jasukuni", ku nderohen kriminelët e luftës të klasës A të Luftës së Dytë Botërore, është një mjet shpirtëror dhe simbol i luftërave të agresionit të zhvilluara nga militaristët japonezë.
Ajo që bënë disa liderë politikë japonezë lidhur me tempullin "Jasukuni" zbulon edhe një herë një qëndrim të gabuar ndaj çështjeve historike, tha ai, duke shtuar se pala kineze i ka paraqitur protestë serioze palës japoneze dhe ka deklaruar qëndrimin e saj të drejtë.
Përballja dhe reflektimi i thellë mbi historinë e agresionit është një parakusht thelbësor për Japoninë për të krijuar dhe zhvilluar miqësi e bashkëpunim me fqinjët e vet aziatikë pas Luftës së Dytë Botërore, u shpreh Lin.
"Ne theksojmë nevojën për të kujtuar mësimet e historisë jo për të vazhduar urrejtjen, por për ta përdorur historinë si një pasqyrë, për të ruajtur paqen dhe për të parë nga e ardhmja," vuri në dukje zëdhënësi.
Ai tha se Pekini i kërkon Japonisë të respektojë angazhimin e saj për të njohur dhe reflektuar mbi historinë e saj të agresionit dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të fituar besimin e fqinjëve të vet aziatikë dhe të komunitetit ndërkombëtar. (Çang Çuo)