Kryediplomatja gjermane dënon shkeljet ndaj grave në Afganistan
2024-08-16 11:29:47

Foto nga VCG

Në përvjetorin e pushtimit të Afganistanit nga talebanët, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, dënoi shkeljet kundër grave, duke i cilësuar ato më masivet sistematike të të drejtave të njeriut në mbarë botën, shkruan “ATSH”.

“Tre vjet më parë, pasi militantët morën pushtetin, njerëzit në Afganistan, veçanërisht gratë dhe vajzat, u çrrënjosën nga jeta e tyre. Që atëherë, talebanët kanë shkatërruar çdo ditë shpresat e miliona grave dhe vajzave afgane për një jetë më të mirë”,- tha Baerbock, sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Jashtme.

Sipas saj, gjysma e vendit nuk lejohet më të bëjë atë që është pjesë e jetës normale: të punojë, të shkojë vetëm në spital apo restorante, të këndojë, të tregojë fytyrën në rrugë, të shkojë në shkollë si adoleshente, të jetë grua.

“Jetët e grave dhe vajzave në Afganistan janë si të jetojnë në “arrest shtëpie”. Në kushtet aktuale, nuk është e mundur që Afganistani të kthehet në komunitetin ndërkombëtar”,- tha Baerbock.

Më 15 gusht 2021, talebanët morën pushtetin në Afganistan pasi trupat perëndimore u tërhoqën nga vendi. Që atëherë, ata kanë kufizuar në mënyrë drastike të drejtat e grave dhe vajzave, duke përfshirë ndalimin e grave nga të gjitha universitetet.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Afganistani është i vetmi vend në botë që u mohon grave dhe vajzave mbi 12 vjeç aksesin në arsim.  (Irma)