Raporti i BSh-së: Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në gjysmën e parë të vitit është nxitur nga rritja e shpenzimeve
2024-08-16 15:38:35

Biznes shqiptar (Foto Atsh)

Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare.

Në raportin tremujor të Politikës Monetare, publikuar nga BSh-ja, theksohet se zgjerimi i aktivitetit ekonomik në gjysmën e parë të vitit është nxitur nga rritja e shpenzimeve familjare dhe e investimeve të bizneseve dhe është pasqyruar në rritje të sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit, shkruan “ATSH”.

Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie të shpejtë, duke shënuar dhe një rikuperim të plotë të goditjes që pësuam nga rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Rënia e inflacionit ka pasur një bazë të gjerë, por ajo ka qenë më e shpejtë në çmimet e artikujve ushqimorë.

Sipas BSH-së, rikthimi i stabilitetit të çmimeve në vend, pas një periudhe dyvjeçare me inflacion të lartë, lehtëson kostot e jetesës së familjeve dhe krijon një ambient më transparent për investimet afatgjata të bizneseve.

Banka Qendrore vëren se kjo tablo zhvillimesh ka qenë e pritur për të. Sikundër ka theksuar në vazhdimësi, ajo pasqyron, së pari, bazat e shëndosha të zhvillimit të vendit dhe rezistencën e fleksibilitetin e lartë që sektori privat shqiptar ka shfaqur gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, thekson BSH-ja, trendi pozitiv i zhvillimit të vendit pasqyron edhe politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. (Irma)