Shpërthimi i vullkanit Etna / foto ATSh
Instituti Italian për Gjeofizikën dhe Vullkanologjinë (INGV) raportoi shpërthimin e vullkanit Etna, vullkani më aktiv në Evropën kontinentale, duke shkaktuar mbylljen e aeroportit të Katanias në bregun lindor të Sicilisë, shkruan “ATSH”.
Vullkani nxori një shtëllungë të madhe hiri dhe gaze lave deri në një lartësi prej 9500 metrash. Grimcat e hirit mbuluan avionët dhe pistat, duke i bërë ato të papërdorshme.
Autoritetet e aeroportit bënë të ditur se shërbimet do të rifillonin kur infrastruktura të ishte sërish funksionale.
Pluhuri gri i errët mbuloi banesat dhe rrugët rreth Katanias.
Etna, e cila arrin një lartësi prej rreth 3350 metra, është vullkani më i madh aktiv në Evropë. Ai shpërthen rregullisht dhe monitorohet vazhdimisht. Shpërthimet spektakolare tërheqin një numër të madh spektatorësh.
Shpërthimet shkaktojnë ndryshime në lartësinë e vullkanit. INGV-ja ka raportuar një rritje të aktivitetit sizmik në rajon që nga fillimi i korrikut. (Irma)