Foto nga RTSH
Eksportet e mallrave arritën në 199 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se fuqizimi i lekut ka ndikuar negativisht në vlerën e eksporteve, ndërsa theksoi se po zbatohen një sërë politikash mbështetëse për eksportuesit, shkruan “ATSH”.
“Natyrisht po kalojmë një fazë të vështirë, të ndikuar nga fuqizimi i lekut, ndaj po aplikojmë politika e masa për adresimin e problematikës së eksporteve dhe efekteve në treg”, u shpreh ministri.
Sipas ministrit, krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur rritje në disa eksporte të xeherorëve, zgjyrave dhe hirit me 1.1 miliardë lekë, pjesëve të këmbimit për avionët dhe anijet e hapësirës me 0.5 miliardë lekë, për artikujt prej gize dhe çeliku me 0.3 miliardë lekë, si dhe përgatitjet prej zarzavateve, frutave, arrave dhe të tjera me 0.3 miliardë lekë.
Eksportet drejt vendeve të BE-së përbëjnë 71.4% të eksporteve gjithsej. Partnerët kryesorë në këtë periudhë janë Italia (28.7%), Turqia (8.5%), Kina (7.5%) dhe Greqia (7.3%). (Irma)