Çfarë librash kanë dëshirë që të lexojnë fëmijët gjatë sezonit veror? Për Radio Ejani fëmijët flasin për librat që leojnë gjatë verës. Ndërsa redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, Blerina Çizmja, jep sugjerimet se çfarë librash duhet të lexojnë fëmijët gjatë pushimeve verore.
Çfarë librash preferojnë fëmijët gjatë verës?
Fëmijët e moshave të ndryshme, kanë nevoja, kërkesa dhe aftësi të ndryshme edhe në aspektin e leximit. Lexuesit fillestarë nisin kryesisht nga mosha 6 deri në 8 vjeç, duke vijuar me lexuesin e mirëfilltë të grupmoshës së fëmijëve nga 9 deri në 14-vjeç. Këshilla më e mirë për fëmijët, do të ishte regjistrimi i tyre në bibliotekën e qytetit, sa më pranë zonës së banimit. Kjo është një mundësi mjaft e mirë për të përfshirë të gjithë fëmijët në botën e bukur të leximit dhe formimit të tyre. T’i mbash fëmijët në kushte leximi gjatë verës është një ide shumë mirë për t’i edukuar ata. Disa studime tregojnë se fëmijët që nuk lexojnë ose lexojnë rrallë gjatë verës, kanë një rënie në aftësitë e tyre të leximit gjë e cila do i përballte ata me vështirësi gjatë vitit të ri shkollor.
Çfarë librash kanë dëshirë të lexojnë fëmijët gjatë sezonit veror? Disa prej tyre kanë treguar për Radio Ejani librat që lexojnë gjatë verës.
CMG: Përshëndetje! Në çfarë klase shkon këtë vit?
Frenki: Në klasën e tretë.
CMG: Gjatë këtij sezoni veror, ke lexuar libra jashtëshkollorë ?
Frenki: Po, kam lexuar dhe kam bërë ushtrime.
CMG: Cilat libra ke lexuar gjatë kësaj vere?
Frenki: Unë kam lexuar librin “Kapiten Brekushi”, por edhe një libër që na i ka dhënë mësuesja ta lexojmë gjatë verës, “Pushimet verore 2”. Në këtë libër ka ushtrime matematike për t’i plotësuar, por edhe ushtrime nga lënda e gjuhës.
CMG: I ke plotësuar të gjitha?
Frenkli: E kam plotësuar librin, por më ka mbetur edhe pak pa plotësuar.
CMG: Të pëlqen të lexosh gjatë verës?
Frenki: Po.
CMG: Pushime të mbara!
Vasili, moshatar i Frenkit, e ka të preferuar të njëjtin libër.
CMG: Cili është libri që po lexon gjatë kësaj vere?
Vasili: Unë kam lexuar librin “Kapiten brekushi”.
CMG: Çfarë të pëlqen më shumë tek ky libër?
Vasili: Më pëlqen shumë ky libër sepse ka histori të bukura dhe ka shkrime posaçërisht për fëmijë.
Edhe Bora flet për librat e verës në Radio Ejani
CMG: Çfarë librash ke lexuar gjatë pushimeve verore ?
Bora: Unë gjatë kësaj vere kam lexuar “Meri Popins”, që i dhuron fëmijëve aventura magjike dhe argëtuese.
CMG: Çfarë të pëlqen më shumë nga ky libër?
Bora: Më pëlqen shumë historia e Meri Popins. Mënyra se si i zbret shkallët nga parmakët e tyre, ndërsa valixhen duket sikur e ka bosh dhe të lehtë, por më pas i dalin objekte me forma të çuditshme. Ajo është e rreptë dhe e dashur, ndonjëherë dhe e vrazhdë, por e aftë të këshillojë të vegjël e të rritur. Kur mendon se ka mbaruar misionin e saj largohet pa asnjë lajmërim, duke u mbajtur në çadrën e saj të bukur me një dorezë në formën e krokodilit, por lë pas një familje të lumtur. Kjo është Meri Popins, ndër më të famshmet e të gjitha kohërave, fryt i fantazisë së shkrimtares australiane Pamela Travers, që ka shkruar tetë libra për fëmijë, të cilat janë bërë edhe filma nga kompania e famshme Disney.
Ndërsa redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, Blerina Çizmja, tregon për Radio Ejani, sugjerimet e saj se çfarë librash duhet të lexojnë fëmijët gjatë sezonit të verës.
CMG: Çfarë interesi shfaqin fëmijët rreth librave jashtëshkollorë në këtë sezon veror?
Blerina Çizmja: Në rradhë të parë ju falenderoj që po flasim për librin. Sa i përket zhanrit, nuk duhet të harrojmë se fëmijë të moshave të ndryshme, kanë nevoja, kërkesa dhe aftësi të ndryshme si për çdo gjë tjetër edhe përsa i përket leximit. Meqë çdo zhanër ka strukturën e tij unike, unë mendoj se nuk duhet të tregohemi të kufizuar në këtë drejtim. Do të këshilloja që të eksploronin zhanre të ndryshme, në këtë mënyrë fëmijët mësojnë të analizojnë dhe të vlerësojnë elemente të ndryshme të tregimit, forcojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe në vetvete kjo shton aftësitë e tyre për të interpretuar dhe për të kuptuar tekste më të vështira në të ardhmen. Sigurisht që në mosha të ndryshme dhe interesat janë të ndryshme, por meqënëse po flasim për lexime jashtëshkolle, po i referohemi moshave nga 7 deri në 14 vjeç, unë mendoj se përrallat klasike dhe historitë komike janë ato më interesante dhe më të pëlqyerat, që edhe unë do i rekomandoja padyshim.
Nuk do të lija pas ato libra që skalitin prirjen e fëmijëve. Një fëmijë që shfaq interes për informatikën do të shijonte më shumë një libër që tregon në mënyrë të thjeshtë dhe të përshtatur për moshën e tij, gjuhët e programimit. Një fëmijë që është kuriozë dhe i prirur nga shkencat do të tërhiqej nga atlasët e dijes, botimet shqip, të cilat janë të shumëllojshme dhe të larmishme. Gjithsesi për të mbetur në stinën në të cilën jemi dhe te argëtimi, besoj se janë historitë komike ato që qëndrojnë në vend të parë.
CMG: A duhen përfshirë në valixhen e pushimeve verore librat për fëmijë?
Blerina Çizmja: Normalisht që po, nuk duhet të mungojnë kurrsesi librat për fëmijë. E dimë që nuk është e lehtë ta bindësh një fëmijë që të lexojë një libër, këtë e dimë të gjithë, madje në disa raste duket një mision i pamundur, por unë si profesioniste e fushës dhe si prind do i këshilloja të gjithë që prindërit të tregohen të vendosur në këtë pikë. Periudha e pushimeve përveç të tjerave sjell tek fëmija një lloj çlirësie, shpengimi dhe fëmijët e shohin këtë si lloj largimi nga detyrat dhe përgjegjësitë e shkollës në këtë stinë. Kjo gjë e bën "të ligjshëm" largimin nga libri, dhe përgjegjësitë e shkollës në këtë periudhë. Duke e parë në këtë prizëm, një libër në valixhen e pushimeve, nuk është thjeshtë lexim, do ishte si një mision për të kuptuar se libri nuk është thjesht një detyrim që kemi në shkollë, por është diçka më tepër. Duke e bërë pjesë të pushimeve, i japim librit vendin që i takon, e bëjmë atë pjesë të argëtimit që vjen me pushimet dhe e ligjërojmë faktin se libri nuk është element vetëm i shkollës, por i jetës në përgjithësi.
CMG: A duhen imponuar fëmijët që të lexojnë ato libra që kërkojnë prindërit, apo duhen lënë të lirë, për të bërë zgjedhjet e veta?
Blerina Çizmja: Në lidhje me fëmijët unë jam kundër imponimit dhe pro orientimit. T’i thuash një fëmije që duhet të bësh këtë apo atë, është njësoj sikur ‘të vrasësh’ qënien e tij të pavarur si njeri. Këtu nuk flas vetëm për librat, flas për një njeri në përgjithësi, por me të njëjtin parim jam edhe përsa i përket librave.
Një prind i vëmendshëm e di se çfarë do ta tërheqë fëmijën e tij dhe di që t'i sugjerojë atij librat më të përshtatshëm që do t’i dukeshin më interesante dhe do e afronin më afër me librin. Të mos harrojmë se duke lexuar histori për njerëz të tjerë dhe nga këndvështrimi i atyre njerëzve, fëmijët fitojnë një vlerësim për ndjenjat e njerëzve të tjerë, por njohin edhe më mirë veten. Para tyre hapet një botë e re dhe horizontet qe kanë para zgjerohen gjithmomë dhe më shumë, sa më shumë që lexojnë. Për këtë arsye mendoj se orientimi i duhur, ndoshta prezantimi me librat që ne na kanë bërë përshtypje në fëmijëri, leximi bashkë me ta i një shkrimi apo një libri të caktuar, është një ndihmë që u japim atyre për të bërë zgjedhjet e duhura edhe në këtë drejtim.
CMG: Më shumë interes ka letërsia e huaj apo ajo shqiptare?
Blerina Çizmja: Do kisha dashur ta thosha me zë të lartë dhe me krenari se është letërsia shqiptare, por fatkeqesisht letërsia jonë për fëmijë, për arsye nga më të ndryshmet, nuk është më e pasur. Nga ana tjetër unë kam rezervat e mia për filtrin që ushtrohet në ardhjen e këtyre librave deri në duart e lexuesit të vogël, që në fakt është lexuesi më i çmuar që kemi. Kështu që letërsia e huaj vazhdon të qëndrojë në krye.
Librat që gjenden në libraritë tona janë të larmishëm dhe të japin shumë mundësi zgjedhjeje. Më vjen mirë për këtë, dhe do doja që fëmijët t’i shikonin, t’i shfletonin dhe lexonin, se janë vërtetë një pasuri titujt që kanë ardhur nga letërsia e huaj. Për më tepër janë shumë interesant për t’u parë nga afër, janë të bukur në pamje,të këndshëm në prekje, tërheqës etj. Letërsia e huaj është me të vërtetë një letërsi e mirë, mjafton që të lexohet.
CMG: Ju si redaktore prej vitesh në disa shtëpi botuese, por edhe si prind, çfarë do u rekomandonit fëmijëve për të lexuar gjatë sezonit të verës?
Blerina Çizmja: Unë do rekomandoja së pari më të rëndësishmen nga të gjitha, të lexojnë. Për të qëndruar në frymën e kësaj teme do e thoja me shkronja të mëdha ‘TË LEXOJNË !’.
Përfitimet që kanë fëmijët nga leximi i librave janë aq të mëdha, po aq sa mungesat që do të kenë sot dhe nesër nga mosleximi i tyre. Më besoni nuk ka pamje më të bukur se sa një fëmijë që lexon, ndërsa prindërit apo të afërmit e tyre shijojnë një drekë një ditë në plazh, apo një pije buzë detit. Do t’u këshilloja prindërve që të gjejnë kohën për të lexuar, apo për t’u lexuar fëmijëve të tyre. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitetin e leximit, por bëhet fjalë për të kaluar kohë cilësore së bashku, duke forcuar kështu edhe lidhjen njerëzore. Disa minuta leximi së bashku u japin juve dhe fëmijës tuaj mundësinë për të ngadalësuar shpejtësinë e jetës, për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të ndarë një aktivitet të këndshëm.
Për të folur konkretisht ka seri të bukura librash për fëmijë të ndarë sipas moshave. Për më të vegjëlit unë do të rekomandoja përrallat klasike, si "Përrallat e vëllezërve Grim", “Libri i 100 përrallave”, si dhe libra të tjerë po me këtë frymë. Në treg gjenden disa seri shumë interesante që titullohet "101 gjërat që duhet t’i dini për...”, ku ka libra për shkencën, futbollin, shpikjen, sportin, të cilat janë shumë interesante, enciklopeditë e shumëllojshme, etj. Gjithashtu do i këshilloja që për fëmijët në pubertet të lexonin libra si "Trupi im i mahnitshëm", që i ndihmon ata të njohin veten, ndryshimet fizike, si dhe do ta mbyllja me librin që ndodhet në vendin e parë të klasifikimit tonë familjar që kanë bërë fëmijët e mi, "Djali miliarder” dhe libri “Gjyshja gango" nga autori David Williams. Janë libra që i kemi vendosur në vendin e parë në familjen tonë dhe unë do ua rekomandoja që t’i lexonin fëmijët gjatë stinës së verës.
CMG: Faleminderit për sugjerimet tuaja!
-Ka fëmijë që gjatë sezonit veror lexojnë librat e tyre të preferuar, apo edhe libra të cilat ia cakton mësuesja e tyre për të lexuar dhe plotësuar gjatë sezonit të verës si “Pushimet verore”, të ndara sipas vitit shkollor. Ka fëmijë që gjatë sezonit të verës i frekuentojnë biblikotekat, por ka edhe fëmijë të cilët gjatë pushimeve të verës preferojnë vetëm të argëtohen. Disa ide ku mund të orientohen fëmijët gjatë sezonit të verës janë leximi i fabulave, përrallave, apo edhe leximi i kulturës së një vendi të caktuar, që fëmija mund të vizitojë me familjen e tij.
Një mënyrë e mirë do të ishte edhe plotësimi i një ditari, që për ta do të mbetej një kujtim i bukur për vitet në vazhdim. Pushimet verore ofrojnë mundësi shumë të mira për fëmijët dhe prindërit për të ndërvepruar dhe për të kaluar një kohë efektive dhe të dobishme me njëri tjetrin; nga pikniku në mal, plazhi në bregdet, leximi së bashku, udhëtimet me makinë apo me biçikleta, etj. Pushimet verore sigurojnë një hapësirë për fëmijët që të luajnë për orë të tëra, të kalojnë më shumë kohë me familjen, por edhe të lexojnë librat e tyre të preferuara, duke mësuar gjëra të reja dhe të larmishme nga librat.
Intervistoi: Sava Lena