Qendra e emigranteve ne Shengjin (Foto Panorama)
Ministria e Brendshme italiane ka ftuar zyrtarisht Agjencinë e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) për të mbikëqyrur zbatimin e protokollit dhe për të garantuar të drejtat e njeriut në dy qendrat e emigrantëve të ngritura në Shqipëri, shkruan “Panorama”.
Edhe pse prania e stafit të UNHCR-së në pikat për aplikimet për azil dhe emigrantët e ndaluar nuk duhet të merret si e mirëqenë, është një praktikë e vendosur, në përputhje me mandatin e agjencisë së OKB-së, për të mbikëqyrur zbatimin e Konventës së Refugjatëve të vitit 1951 dhe për t’i ofruar mbrojtje refugjatët.
Në një njoftim zyrtar të ministrisë italiane, thuhet se UNHCR-ja nuk ishte përfshirë në negociatat midis Shqipërisë dhe Italisë për hartimin e protokollit. Megjithatë, pas një sërë takimesh në të cilat qeveria italiane siguroi informacion shtesë mbi zbatimin e tij dhe përsëriti dëshirën e saj të fortë që të ishte në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare, Ministria e Brendshme italiane përfshiu agjencinë e OKB-së për të marrë një rol të monitorimit dhe këshillimit për tre muajt e parë.
Gjatë kësaj periudhe, UNHCR-ja do të përpiqet të përmirësojë mbrojtjen e azilkërkuesve dhe refugjatëve duke identifikuar dhe raportuar tek autoritetet kompetente çdo mospërputhje me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe të refugjatëve dhe standardet e praktikave të mira. (Irma)