UNESCO: Mbi 1.4 milionë vajza afgane nuk lejohen të ndjekin shkollën e mesme
2024-08-16 11:27:48

Foto nga VCG

Agjencia e OKB-së për Edukim, Shkencë dhe Kulturë bëri të ditur se të paktën 1.4 milionë vajza afgane nuk janë lejuar të ndjekin arsimin e mesëm qëkur talebanët rimorën pushtetin në vitin 2021.

“Kjo shifër është 300 mijë më shumë se në prill të një viti më parë. E ardhmja e një brezi të tërë është tashmë në rrezik. Edhe aksesi në arsimin fillor ka rënë ndjeshëm”,- bëhet e ditur në një deklaratë të UNESCO-s, shkruan “RTSH”. UNESCO jep alarmin nga pasojat e dëmshme e këtij niveli kaq të lartë të mos ndjekës së shkollës që mund të çojë në rritjen e numrit të fëmijëve që janë të detyruar të punojnë dhe të martohen në moshë të vogël.

“Në tre vite në pushtet, autoritetet e Afganistanit kanë fshirë pothuajse dy dekada të progresit të qëndrueshëm të shënuar në arsimin afgan”,- u shpreh UNESCO, sipas të cilit, rreth 2.5 milionë vajzave në moshë shkolle iu është privuar e drejta për arsim.

Afganistani është i vetmi vend në botë që nuk i lejon vajzat dhe gratë të ndjekin shkollat e mesme dhe universitetet. Regjistrimi në këto të fundit është gjithashtu shqetësues, pasi numri i studentëve të shkollave të larta ka rënë me 53 për qind që nga viti 2021. (Irma)