Foto nga VCG
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës, organi më i lartë i planifikimit ekonomik i vendit, specifikoi të enjten detyrat kryesore për ruajtjen e mjedisit ekologjik.
Komisioni do të veprojë në drejtim të përparimit të reformës për mbrojtjen ekologjike dhe për të nxitur zhvillimin e gjelbër, me lëshim të ulët karboni e me cilësi të lartë, theksoi Zhao Chenxin, zëvendëskryetari i Komisionit, në një veprimtari të zhvilluar në qytetin Sanming të provincës Fujian të Kinës Juglindore me rastin e Ditës Kombëtare të Ekologjisë.
Komisioni do të punojë aktivisht, por me kujdes, për arritjen e kulmit të karbonit deri në vitin 2030 dhe të asnjanësimit të karbonit deri më 2060, do të shtojë përpjekjet për të mbrojtur mjedisin ekologjik dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin e gjelbër e me lëshim të ulët karboni, duke zbatuar politika fiskale, taksash, financiare, investimesh e çmimesh, si edhe standarde, për të mbështetur zhvillimin e gjelbër e me karbon të ulët, vuri në dukje Zhao.
Sipas tij, do të forcohen edhe mekanizmat për realizimin e vlerës tregtare të mallrave e shërbimeve të ekosistemit, do të përparojë kompensimi i përgjithshëm për ruajtjen ekologjike dhe do të përmirësohet mekanizmi ndër-rajonal i kompensimit për ruajtjen ekologjike.
Ndërkohë, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës do të thellojë bashkëpunimin ndërkombëtar lidhur me ekonominë qarkulluese, do të nxitë eksportin e teknologjive, prodhimeve, standardeve dhe modeleve të përparuara të biznesit për zhvillimin e gjelbër e me lëshim të ulët karboni dhe do të marrë pjesë aktive në qeverisjen globale të klimës, u shpreh Zhao Chenxin.
Vitin e kaluar, organi më i lartë ligjvënës i Kinës votoi për ta caktuar 15 gushtin si Ditën Kombëtare të Ekologjisë të vendit, me qëllim forcimin e ndërgjegjësimit publik dhe të veprimeve për të mbrojtur mjedisin ekologjik.