Korriku, muaji i zhvillimeve të spikatura globale
2024-08-16 12:59:55


Foto nga CMG

Ndonëse një muaj vere, korriku ka shënuar një sërë ngjarjesh të rëndësishme në aktualitetin ndërkombëtar. Fushata zgjedhore në SHBA, mandati i dytë i presidentes së Parlamentit Europian dhe prioritetet e saj, konfliktet Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Palestinë dhe ndërmjetësimi i Kinës për arritjen e paqes me bisedime, janë disa nga këto ngjarje. Kryeredaktorja e portalit online “Argumentum.al” Marjana Doda analizon këto ngjarje në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)

CMG: Korriku një muaj jo vetëm me temperatura të larta të motit, por dhe të aktualitetit ndërkombëtar.

Marjana Doda: Në të vërtetë është muaji i zhvillimeve të mëdha gjeopolitike në Europë, por dhe pjesë të tjera të botës

Foto nga European Parliament

CMG: Parlamenti Evropian zgjodhi për një mandat të dytë 5 vjeçar Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Evropian.  Ajo tashmë ka paraqitur prioritetet e punës së saj, ndër të cilat mbështet zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe të anëtarësimit të Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës.Ajo ndër prioritetet ka nënvizuar dhënien e një peshe më të madhe të Europës globale dhe krijimin e një ushtrie të Bllokut. Si i vlerësoni këto prioritete dhe mandatin e dytë të von der Leyen në krye të KE-së

Marjana Doda: Mund të them se nuk ishte një zgjedhje e lehtë për von der Leyen dhe kjo u pa në takimin e 27 vendeve të Europës në takimin dyditor në Bruksel ku paten negociata mes tyre për të nominuar kandidaturën e von der Leyen. Ajo pati kundërshtimin e kryeministres italiane Meloni dhe atij të Hungarisë Orban, që negociatat i quajtën jo përbashkuese për familjen europiane, por ndarëse.

Ky mandat i ri i von der Leyen do të jetë i vështirë dhe sfidues për vetë atë, por dhe për Bashkimin Europian. Më ra në sy fakti që kryeministrja italiane Meloni, e cila ka marrë një pozicion të forte në Parlamentin Europian, falë zgjedhjeve në këtë institucion ku e djathta europiane pati një rritje, abstenoi me votën e saj për zgjedhjen e Ursula von der Leyen. Kjo do të thotë që ndoshta marrëdhëniet mes tyre do të rregullohen, por kjo vote ishte për të marrë një lloj vemendjeje dhe për të treguar se edhe Italia tani ka forcën e saj dhe duhet t’i kthehet vëmendja që ajo meriton.

Në samitin dyditor ku u zgjodhën krerët më të lartë të BE-së do të nënvizoja dhe faktin e zgjedhjes së presidentit të Këshillit të Europës që është ish kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa një person kontravers, sepse vitin e kaluar u shkarkua për korrupsion në vendin e tij. Por zgjedhja e tij ishte  gati unanime, duke zëvendësuar Charles Michel.

Edhe përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, që përbën një pike të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, ish kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, falë pozicionit të shtetit të saj si vend balltik, mes Europës dhe Rusisë, pritet ta bëjë një aktore kyqe në politikën e BE-së, por dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

CMG: Sa  i përket prioriteteve, gjykoni se ky mandat i dytë i presidentes së PE-së, Ursula von der Leyen është shpresëdhënës për Ballkanin Perëndimor, por dhe vendet e tjera?

Marjana Doda: Në fjalën e saj Ursula von der Leyen bëri një autokritikë, duke rikujtuar se tashmë kanë kaluar 20 vite që nga Samiti i Selanikut ku u premtua paketa e madhe e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, por në fakt vetëm se është zvarritur.

Mendoj se ai momenti për zgjerimin e BE-së duke përfshirë Ballkanin Perëndimor tashmë ka humbur, por ndoshta jemi ende në kohë për ta arritur deri në vitin 2030 siç ishte përcaktuar nga vetë udhëheqësit e bllokut europian.

Ursula von der Leyen bëri një lloj autokritike, duke thënë se nuk duhet të zvarritim zgjerimin, i cili do të jetë pjesë kryesore në prioritetet e programit të saj në politikën e jashtme, por do të fokusohen dhe në ndryshimet klimatike, për t’i dhënë një rëndësi më të madhe sigurisë europiane. Kjo siguri deri tani është mbështetur nga NATO por me nismën e presidentit francez Emmanuel Macron duket që edhe vetë liderët e BE-së po shkojnë drejt krijimit të një ushtrie europiane

Foto nga China Daily

CMG: Në 2024 zhvillohen zgjedhje në mbi 60 vende të botës, një rekod ky në histori. Zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA janë konfiguruar tashmë me dy kandidatët republikanin Donald Trump dhe demokraten Kamala Haris. Por korriku shënoi ngjarje të paprecedent në historinë elektorale; më 13 korrik u krye një atentat ndaj kandidatit për president Trump, më 21 korrik presidenti aktual Joe Biden u tërhoq nga gara për president të vendit dhe u zëvendësua nga Kamala Haris, zëvendëspresidente dhe kandidatja demokrate për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Në vlerësimin tuaj si paraqitet kjo garë zgjedjore dhe sa ndikon në aktualitetin ndërkombëtar

Marjana Doda: Ky vit është përshkuar nga zgjedhje kudo në botë, të cilat do të formësojnë zhvillimet gjeopolitike. Pa diskutim që e gjithë vemendja është në SHBA për vetë rolin e këtij vendi në politikën e jashtme botërore. Ngjarje e paprecedentë e bëjnë më dramatike dhe më sfiduese situatën e zgjedhjeve në SHBA. Atentati ndaj kandidatit Trump ishte një ngjarje shumë e rëndë që mori vemendjen botërore dhe pati reagime nga shumë liderë botërorë kanë qenë në mbështetje të kandidatit republican. Mendoj që kthesa ndodhi në debatin e pare presidencial Trump-Biden më 27 qershor dhe aty u luhat e gjithë situata sepse deri në atë moment SHBA ishin në favor të rizgjedhjes së Biden, për shkak të performances së dobët të tij. Në fakt as kandidati Trump në atë debat nuk pati një performance për t’u shënuar, por Biden u duk një president i dobët.

CMG: Tërheqja nga gara e presidentit Biden flet për këtë. Si e shikoni garën elektorale midis Kamala Harris dhe Donald Trump?

Marjana Doda: Është më e forte dhe më e ashpër. Tashmë kemi një Trump të fuqizuar, sidomos pas atentatit, që u komentua nga analistët sepse u tha se shpëtoi SHBA sepse nuk u krijua precedenti që do të mund të agravonte situatën. Gjithashtu jam në favor të tërheqjes së Biden nga gara presidenciale.

CMG: Fushata me përballje të forta mes kandidatëve do të ketë ndikimin e vet.

Marjana Doda: Është e ashpër dhe sfiduese sepse të dyja palët tashmë janë të bindura për fitoren e tyre. Tërheqja e Biden tregoi se të dy kandidatët për president duan ta çojnë axhendën e tyre politike deri në fund, por nga ana tjetër kemi Trump që deklaroi se “Zoti më zgjodhi” dhe dua ta fitoj këtë betejë deri në fund.

Foto nga CMG

CMG: Në muajin korrik Kina u bë  vend takimi për ndërmjetësimin e dy konflikteve të mëdha Rusi-Ukrainë  dhe izraelito-palestinez. Vizita në fund të korrikut në Pekin e liderëve palestinezë të 14 fraksioneve  Fatah dhe Hamas dhe nënshkrimi i deklaratës së Pekinit me synim zgjidhjen e konfliktit. Më pas vizita e kreut të diplomacisë ukrainase Kuleba në Kinë dhe takimi me homologun Wang Yi për dhënien fund të konfliktit. Si e komentoni rolin e Kinës si ndërmjetësues aktiv të këtyre konflikteve dhe a pritet të ketë ndikim për t’i çuar palët në bisedime ?

Marjana Doda: E kam ndjekur të gjithë këtë ecuri të Kinës dhe mendoj që roli i saj ndërmjetësues ka dhënë besimin e duhur në arenën ndërkombëtare. Vitin e kaluar Kina e dëshmoi më së miri ndërmjetësimin ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite,  i cili nuk ishte i lehtë për shkak të marrëdhënieve të tyre  të tensionuara, por tashmë ata i kanë riaktivizuar marrëdhëniet diplomatike dhe po shkon siç duhet kjo ecuri.

Kina ka marrë një rol shumë të rëndësishëm, që krahasohet me atë të OKB-së. Nëse OKB si organizata më e madhe ndërkombëtare e sigurisë, ekonomisë dhe e barazisë sociale deri tani fatkeqësisht ka dështuar në sipërmarrjet e saj për të minimizuar konfliktin me krijimin e korridoreve humanitare në Gaza, apo sa i përket luftës në Ukrainë.

Foto nga CMG

Roli i Kinës neutral, duke u bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe sipas parimeve të OKB-së po i ul në tavolinë të gjitha këto vende dhe liderë shtetesh që ishin në armiqësi, duke diskutuar të gjitha mënyrat drejt pajtimit dhe sjelljes së paqes.

Shumë i rëndësishëm ishte takimi i fundit i 14 fraksioneve palestineze me ndërmjetësimin e Kinës në Pekin. Edhe në kohë paqeje është shumë e vështirë t’i mbledhësh disa njerëz, imagjinoni në një situatë kaq të vështirë konflikti.

Është i përshtatshëm roli i Kinës në ndërmjetësim dhe sjelljen në tavolinën e bisedimeve të liderëve të shteteve që janë në konflikt.

Kina në këtë rast ka treguar neutralitetin e saj duke arritur të marrë besimin e vendeve në konflikt, duke zbatuar të gjitha parimet që nuk cënojnë sovranitetin e këtyre vendeve

Intervistoi Eda Merepeza