Balluku dhe Vëngu inspektim në plazhe: Dronë e kamera për monitorimin e ndotësve
2024-08-15 09:58:18

Foto nga RTSH

Pastrimi i vijës bregdetare në jug të vendit, kryesisht në plazhet ku aksesimi është nga deti, ka qenë një nga problematikat me shtinin e numrit të turistëve dhe anijeve turistike të licencuara.  

Pastrimi i plazheve ka nisur në Bashkitë e Himarës dhe Sarandës, ku ekipeve u janë bashkuar edhe forcat detare. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, inspektuan disa prej plazheve më të frekuentuara të jugut të Shqipërisë.

Balluku tha se dronët e Ministrisë së Mbrojtjes janë tashmë nën monitorim të plazheve për të identifikuar ndotësit e detit dhe mjedisit, ndërsa tha se do të vendosen kamera ambientale edhe në gjiret që nuk kanë akses nga toka pikërisht për të zbuluar ndotësit dhe gjobitjen e tyre, citon “RTSH”.

“Shtimi i  anijeve turistike që qarkullojnë në brigjet e jugut janë arsyeja kryesore e ndotjes në këto plazhe, pasi janë plazhet që nuk kanë restorante dhe hoteleri. Janë plazhe të aksesueshme nga deti dhe kontrolli duhet të shtohet nga deti. Pas përfundimit të sezonit duhet të bëjmë një analizë të situatës për të nxjerrë mësime”,- tha Balluku.

Ministri Vëngu tha se duhet një reformë administrimi detar pikërisht për të marra masa lidhur me trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe të lëngëta të anijeve para dhe pas largimit të tyre nga brigjet shqiptare.

Vëngu e vuri theksin te bashkëpunimi mes të gjitha autoriteteve për një mjedis të pastër.

Zëvendëskryeministrja Balluku tha se me përfundimin e sezonit do të bëhet një analizë më e plotë për të përcaktuar masat dhe hapat që do të ndërmerren në vijim. (Elona)