Foto nga VCG
Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan shitjen e mundshme të armëve për Izraelin me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, duke përfshirë më shumë se 50 avionë luftarakë dhe raketa të avancuara, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një deklaratë, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes tha se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte miratuar shitjen e mundshme të avionëve dhe pajisjeve F-15 me vlerë rreth 19 miliardë dollarë. Dorëzimi vlerësohet të fillojë në vitin 2029, shkruan “ATSH”.
“Blinken kishte miratuar gjithashtu shitjen e mundshme të fishekëve të tankeve me vlerë rreth 774 milionë dollarë dhe automjeteve të ushtrisë me vlerë rreth 583 milionë dollarë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit dhe është jetike për interesat kombëtare të SHBA-së që të ndihmojë Izraelin që të zhvillojë dhe mbajë një aftësi të fortë dhe të gatshme vetëmbrojtëse. Kjo shitje e propozuar është në përputhje me këto objektiva”,- thuhet në deklaratë.
Njoftimi vjen ndërsa Lindja e Mesme përgatitet për një valë të re sulmesh nga Irani dhe aleatët e tij kundër Izraelit lidhur me ngjarjet e fundit. (Elona)