Foto nga VCG
Prej disa javësh, bashkia e Tiranës ka ngritur në sheshin “Skënderbej” çadrën e kujdesit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal në këtë stacion për një apel për qytetarët, që të shmangin lëvizjet, sidomos gjatë orëve të pikut. Ai tha se për ata që e kanë të nevojshme të dalin ka disa pika në qytet, ku mund të ndalojnë për të pirë ujë dhe për të matur tensionin, nëse do ta kenë të nevojshme, shkruan “RTSH”.
“Ftesa ime për të gjithë qytetarët, sidomos ata të moshës së tretë, është mos të dalin nga shtëpia nëse nuk kanë diçka urgjente. Për ata që e kanë të nevojshme të dalin, ne kemi hapur disa pika, me kryesoren në sheshin “Skënderbej”, për t’u freskuar pak, për të matur tensionin, për t’u çlodhur në hije, para se të vazhdojnë rrugën. Thirrja është: qëndroni të hidratuar, shmangni daljet e panevojshme”,- tha Veliaj.
Ai theksoi se në çadrën e kujdesit është menduar edhe për kafshët shtëpiake dhe u bëri thirrje qytetarëve që mos t’i braktisin kafshët e tyre në rrugë. (Elona)