Marreveshje per turizmin (Foto ATSH)
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit Global të Turizmit të Qëndrueshëm GSTC, për ta sjellë Shqipërinë më pranë turizmit të qëndrueshëm me standardet dhe certifikimin e njohur ndërkombëtarisht.
Marrëveshja u nënshkrua nga zv.ministrja Vilma Bello dhe Stefan Joss, përfaqësues i projektit të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), bën të ditur “ATSH”.
Palët angazhohen të bashkëpunojnë dhe të punojnë brenda dy objektivave të mëdha: zhvillimi i një kornize kombëtare për turizmin e qëndrueshëm dhe zbatimi i standardeve të turizmit të qëndrueshëm GSTC.
Qëllimi afatgjatë është inkurajimi dhe mbështetja e palëve të interesuara të turizmit në Shqipëri në adoptimin e standardeve të njohura nga GSTC, përmirësimin e industrisë (hotele, operatorë turistikë) dhe organizatat/bashkitë e destinacionit, si dhe arritjen e certifikimit nga organizmat certifikues të akredituar nga GSTC. (Elona)