Delta e Lumit të Verdhë, nga tokë bazike në trashëgimi natyrore botërore
2024-08-15 16:52:31

foto nga CFP

Tufa e gatave sqeplugë fytyrëzezë në rezervatin Dongying pranë grykëderdhjes së Lumit të Verdhë të Kinës Lindore /  foto nga CFP

Më 26 korrik, rezervati i shpendëve shtegtarë përgjatë bregut të Detit të Verdhë (faza e dytë) u përfshi në listën e trashëgimisë botërore. Rezervati i  shpendëve shtegtarë pranë grykëderdhjes së Lumit të Verdhë në Dongying të provincës Shandong të Kinës Lindore është një pjesë përbërëse e kësaj trashëgimie botërore natyrore. Toka e dikurshme bazike dhe e zbrazët është shndërruar sot në një ligatinë të madhe me bar të harlisur dhe me shumëllojshmëri biologjike, falë masave afatgjata mbrojtëse e mirëmbajtëse, por edhe harmonisë midis njeriut e natyrës.

Në maj të këtij viti, Zhang Shuyan, zv.drejtori i stacionit të grykëderdhjes së Lumit të Verdhë pranë kësaj zone, vëzhgoi dy zogj të gatës sqeplugë fytyrëzezë, të lindur me inkubacion natyror.

"Gata sqeplugë fytyrëzezë u përket kafshëve në rrezik zhdukjeje në botë dhe kafshëve të mbrojtura në nivelin e parë kombëtar. Sipas standardit ndërkombëtar, ajo konsiderohet si lloj treguesi për cilësinë mjedisore të një ligatine. Kjo është hera e parë që zbulohet shumëzimi i kësaj gate në Deltën e Lumit të Verdhë dhe kjo nënkupton se sfera e shumëzimit të këtij zogu është zgjeruar  qindra kilometra drejt jugut," shpjegon Zhang.

Tufa e mjellmave memece në rezervatin Dongying pranë grykëderdhjes së Lumit të Verdhë të Kinës Lindore /  foto nga CFP

Një muaj më vonë, në stacionin Dawenliu pranë këtij rezervati u zbulua edhe shumëzimi i suksesshëm i mjellmës memece.

Rezervati Dongying është një zonë kyçe e mbrojtjes ndërkombëtare të fluturimit të shpendëve shtegtarë, ku kalojnë çdo vit miliona zogj, dhe quhet "aeroporti ndërkombëtar" i zogjve.

"Kur sapo fillova punë në vitin 1988, këtu ishte shkretë dhe frynte erë me rërë të verdhë, ndërsa përreth ishte plot me mushkonja e karkaleca," rrëfen Zhang Xitao, inxhinier i lartë në stacionin e grykëderdhjes së Lumit të Verdhë. Si pasojë e kripshmërisë së tokës, bimët në sferën e kontrolluar nga stacioni i tij u degraduan seriozisht dhe mjedisi ekologjik ishte shumë i dobët.

Në vitin 1990, u krijua rezervati për mbrojtjen e ekosistemit të ligatinës së re përreth grykëderdhjes së Lumit të Verdhë dhe të shpendëve të rrallë në rrezik zhdukjeje. Atëkohë, në këtë rezervat kishte vetëm 187 lloje zogjsh, ndërsa sot ka 373 lloje, 26 prej të cilëve janë zogj të mbrojtur të nivelit të parë në rang kombëtar.

Ligatina në rezervatin Dongying pranë grykëderdhjes së Lumit të Verdhë të Kinës Lindore /  foto nga CFP

Liu Jing, nëndrejtorja e rezervatit të grykëderdhjes së Lumit të Verdhë, tha se, si tokë e krijuar prej tërheqjes së detit, pjesa dërrmuese e Deltës së Lumit të Verdhë është mjaft bazike dhe vetëm kur Lumi i Verdhë kishte shumë ujë ose rërë pengohej gërryerja e tokës prej valëve detare. Për këtë qëllim, në rezervat është zbatuar projekti i plotësimit me ujë natyror, duke lidhur 241 km sisteme ujore dhe duke drenuar 76 km kanale. Si rezultat, kapaciteti i kalimit të ujërave u ngrit nga 40 metra kubë në sekondë në 131 metra kubë në sekondë.

Ujërat e mjaftueshme të ëmbla e kanë penguar kripjen e tokës dhe kështu është përmirësuar vazhdimisht mjedisi i jetesës së bimëve.

"Gjatë disa vjetëve të kaluar, këtu u vu re një evolucion i bimëve, nga barërat ujore në tokën bazike te kallmi dhe më vonë shelgu. Bimësi do të thotë gjallëri dhe shpresë," tha inxhinieri Zhang.

Tufa e shpendëve shtegtarë në rezervatin Dongying pranë grykëderdhjes së Lumit të Verdhë të Kinës Lindore /  foto nga CFP

Me përmirësimin e mjedisit ekologjik, rezervati "priti" shumë "banorë të rinj". Aty u formuan 65 ishuj për shumëzimin e zogjve, 10 zona të mbrojtura për peshqit dhe 29 ishuj ekologjik për bimët, duke e shndërruar grykëderdhjen e Lumit të Verdhë në vatër të florës dhe faunës.

ekranet  e qendrës vëzhguese të rezervatit shfaqet çdo veprim i zogjve. Një platformë e zgjuar mund të kapë imazhet e zogjve, të identifikojë automatikisht llojin e tyre dhe të vlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore.

Si trashëgimi natyrore botërore, rezervati i shpendëve shtegtarë në grykëderdhjen e Lumit të Verdhë tani gëzon një famë ndërkombëtare. "Përfshirja në listën e trashëgimisë botërore nuk ishte qëllimi ynë, por rëndësia e saj është forcimi i aftësisë sonë mbrojtëse dhe ngritja e nivelit të kontrollit," tha Wang Andong, drejtori i qendrës kërkimore të këtij rezervati. (Wang Lei/ Artan)