Irani refuzon ndërmjetësimin europian, pretendon të drejtën për të goditur Izraelin
2024-08-15 13:04:20

Foto nga VCG

Irani hodhi poshtë përpjekjet europiane për ndërmjetësim, në mes të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, pasi Teherani zyrtar këmbënguli në të drejtën e tij për të nisur një sulm hakmarrës ndaj Izraelit.

“Këto thirrje janë politikisht të njëanshme dhe të palogjikshme, pasi ato nxisin një regjim (Izraelin) të kryejë edhe më shumë krime në rajon”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, citon “ATSH”.

“Irani nuk ka nevojë për këshilla apo leje nga jashtë për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin e tij territorial”,- tha zëdhënësi në një deklaratë.

Udhëheqësit europianë, si kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer i kanë bërë thirrje presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, që të parandalojë një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.

Pezeshkian thuhet se i tha treshes se Izraeli ishte fajtori për krizën e fundit dhe duhej të ndëshkohej.

Për të parandaluar seriozisht një përshkallëzim, - argumentoi ai, - Perëndimi duhet të dënojë qeverinë izraelite dhe të ndalojë së injoruari ato që ai i quajti  “krime lufte”.

Lindja e Mesme është në prag të një konflikti rajonal që nga vrasja e dy kundërshtarëve kryesorë izraelitë dy javë më parë.

Si përgjigje, Irani dhe milicia libaneze e Hezbollahut njoftuan se do të nisnin sulme masive hakmarrëse kundër Izraelit.

Forcat e Armatosura izraelite kanë qenë në gatishmëri të lartë prej ditësh. (Elona)