Dy avionë rumunë vijnë në ndihmë të Shqipërisë, ndërhyrje në vatrat kritike të zjarreve
2024-08-15 10:37:19

Foto nga RTSH

Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën në Shqipëri duke iu bashkuar përpjekjeve të forcave shqiptare për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në disa zona problematike të vendit. Dy avionët erdhën si mbështetje nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, bën të ditur “RTSH”.

Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për t'u angazhuar në vatrat e zjarrit, ku situata është më kritike.

I pranishëm në pritjen e dy avionëve nga Rumania me ekuipazhet e tyre, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, falënderoi autoritetet rumune për ndihmën në këto momente të vështira. (Elona)