Banka e Shqipërisë: Shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën me 45%
2024-08-15 10:04:59

Foto nga ATSH

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa arritën shumën e 9.1 miliardë lekëve, një rritje me 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Një arsye duket të jetë rritja me ritme shumë të shpejta të kredisë në monedhën vendase, shkruan “ATSH”. Për gjashtëmujorin e parë të vitit, kredia në lekë është rritur me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një faktor dytësor që po ndikon në rritjen e shpenzimeve për interesa është edhe përdorimi gjithnjë e më i madh nga bankat tregtare i instrumenteve të borxhit të njohura si pjesë e kapitalit rregullator.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e këtyre instrumenteve financiare në mesin e vitit 2024 arriti në 14.2 miliardë lekë, 83% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Elona)