foto nga VCG
Të enjten Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva shkëmbyen mesazhe urimi për të festuar 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Xi Jinping vuri në dukje se Kina dhe Brazili janë vende të mëdha në zhvillim dhe vende të rëndësishme të tregut në zhvillim. Ata janë miq dhe partnerë të mirë që ecin përpara. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike gjysmë shekulli më parë, pavarësisht ndryshimit të situatës ndërkombëtare, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ruajtur gjithmonë një zhvillim të qëndrueshëm. Ndikimi i përgjithshëm strategjik dhe global është më i dukshëm, duke nxitur zhvillimin dhe rigjallërimin e vendeve. Të dyja palët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin botëror.
foto nga VCG
Xi Jinping theksoi se gjatë vizitës së suksesshme të Presidentit Lula në Kinë vitin e kaluar, u arrit një konsensus i rëndësishëm për udhëheqjen dhe hapjen e një të ardhmeje të re për marrëdhëniet Kinë-Brazil në epokën e re. Kina është e gatshme të punojë me Brazilin për ta marrë 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një pikënisje të re, të vazhdojë të forcojë përafrimin e strategjive të zhvillimit të dy vendeve, të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke u dhënë marrëdhënieve dypalëshe një orientim drejt epokës së re dhe duke promovuar ndërtimin e një komuniteti Kinë-Brazil me një të ardhme të përbashkët.
foto nga VCG
Presidenti Lula tha se gjatë gjysmëshekullit të kaluar, miqësia midis Brazilit dhe Kinës ka vazhduar të forcohet dhe bashkëpunimi është bërë më i larmishëm. Aktualisht, të dyja vendet vazhdojnë bashkëpunimin në shumë fusha dhe në të gjitha nivelet, për të ndërtuar bashkërisht një botë më të begatë, paqësore dhe të drejtë. Marrëdhëniet Brazil-Kinë janë të rëndësishme për ndërtimin e një rendi multipolar dhe një qeverisje globale më të drejtë dhe efektive. Ato kanë luajtur një rol mbështetës në stabilitetin dhe parashikueshmërinë e dy vendeve dhe botës.“Në 50 vitet e ardhshme të marrëdhënieve dypalëshe, ne do të punojmë krah për krah për të hapur një rrugë të re dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të ndritshme”, shtoi Presidenti Lula.
Në të njëjtën ditë, zëvendëspresidenti Han Zheng dhe homologu i tij brazilian Geraldo Alckmin shkëmbyen mesazhe urimi. (Fang Xiaoyu/Elona)