Veriu i Shqiperise (Foto RTSH)
Shqipëria bëhet gati për të inventarizuar shtigjet turistike në mënyrë që jo vetëm t'u vijë në ndihmë të pasionuarve pas udhëtimeve në natyrë, por edhe për të shmangur rreziqet që mund të ndodhin në zona të thella natyrore.
Me urdhër të ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, është hartuar rregullorja e re për standardizimin dhe administrimin e shtigjeve turistike, e cila përfshin si autoritete mbikëqyrëse jo vetëm ministrinë, por edhe bashkitë, Federatën Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor dhe Agjencinë për Zonat e Mbrojtura, bën të ditur “RTSH”.
Deri më sot Shqipëria nuk ka asnjë Regjistër Kombëtar Shtigjesh dhe krijimi i një platforme të tillë informuese krijon kushtet për të mbrojtur natyrën, për të promovuar rekreacionin në natyrë, turizmin rural dhe atë të aventurës dhe mbi të gjitha për të garantuar sigurinë e vizitorëve të shtigjeve dhe ruajtjen e mjedisit e florës dhe faunës së këtyre zonave.
Harta e re e shtigjeve do të krijojë të dhëna që do të shënohen në tabela publike ku përshkruhet që nga shtegu i lehtë e deri te shtigjet malore të vështira.
Përveç të dhënave për zonat natyrore, për herë të parë rregullorja e re përfshin edhe këshilla dhe detyra për turistët apo të pasionuarit e ecjes në natyrë. Kushdo që do të ndërmarrë një udhëtim të tillë duhet të përgatitet për kushtet e udhëtimit, të hedhë mbeturinat në vendet e përcaktuara dhe nëse nuk ka të tilla, mbetjet duhet t’i marrë me vete.
Turistët duhet të kujdesen që të lënë gjithçka siç e gjejnë, të reduktojnë sa më shumë përdorimin e zjarreve, të respektojnë mjedisin, kafshët dhe bimët, të respektojnë vizitorët e tjerë, të mos bëjnë zhurmë, të veshin këpucë dhe veshje të përshtatshme për kushtet e shtegut, të marrin me vete mjaftueshëm ujë dhe ushqime, të mos largohen nga shtegu në zona që nuk i njohin, të sigurohen që të kenë kohë të mjaftueshme për ta përfunduar ecjen pa rënë muzgu dhe dy këshillat e fundit, të informojnë gjithmonë dikë për planet e tyre dhe të sigurohen që telefoni i tyre të ketë sinjal dhe mjaftueshëm bateri. (Elona)