Foto nga Xinhua
Ministria e Jashtme kineze shprehu shqetësim serioz dhe kundërshtim të fortë të mërkurën lidhur me bashkëpunimin për nëndetëset me energji bërthamore mes Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara (AUKUS).
Njoftohet se zëvendëskryeministri dhe ministri australian për Mbrojtjen Richard Marles tha të hënën se Australia ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi nëndetëset me energji bërthamore, që do t'u lejojë të tre vendeve të shkëmbejnë materiale dhe informacion lidhur me teknologjinë bërthamore.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze Lin Jian u shpreh se bashkëpunimi lidhur me nëndetëset me energji bërthamore i AUKUS-it dëmton përpjekjet për ta mbajtur rajonin paqësor dhe të sigurt.
ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia e formuan AUKUS-in për të nxitur bashkëpunimin mbi nëndetëset me energji bërthamore dhe teknologji të tjera ushtarake të përparuara, vuri në dukje Lin, duke shtuar se veprimet e këtyre tre vendeve përkeqësojnë garën e armatimit, dëmtojnë rendin ndërkombëtar të mospërhapjes bërthamore, nxisin politikën e blloqeve e konfrontimin ushtarak dhe dëmtojnë paqen e qëndrueshmërinë rajonale.
Bashkëpunimi për nëndetëset me energji bërthamore i AUKUS-it i kundërvihet objektit dhe qëllimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, shtoi zëdhënësi.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vijojë të çojë përpara procesin ndërqeveritar dhe të trajtojë shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me çështjet ligjore e teknike të përfshira në bashkëpunim nëpërmjet Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, procesit të shqyrtimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe platformeve të tjera.
"Deri sa bashkësia ndërkombëtare të arrijë një konsensus mbi ruajtjen dhe çështje të tjera, ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia nuk duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre lidhur me nëndetëset me energji bërthamore," vuri në dukje Lin.