Foto nga VCG
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se forcat e vendit të tij kishin kapur dhjetëra vendndodhje ruse në rajonin jugor të Kurskut, një javë pas fillimit të ofensivës së papritur ndërkufitare.
“Ukraina kontrollon 74 komunitete”,- shkroi Zelensky në platformën e mediave sociale “X”.
Shifra është shumë më e lartë sesa pretendohet nga autoritetet ruse.
Presidenti Zelensky tha se ai informohej vazhdimisht për situatën nga komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, shkruan “ATSH”.
“Me gjithë betejat e vështira dhe intensive, forcat tona vazhdojnë të përparojnë në rajonin e Kurskut”,- shtoi Zelensky, duke vënë në dukje se gjithnjë e më shumë ushtarë rusë po kapen për t’i përdorur ata për shkëmbimin e ardhshëm të të burgosurve me Rusinë.
“U jam mirënjohës luftëtarëve tanë për shërbimin e tyre heroik”,- tha Zelensky.
Ukraina bëri të ditur më parë se civilët nuk duhet të dëmtohen në ofensivën që filloi të martën e kaluar.
“Hapat e ardhshëm janë duke u përgatitur”,- tha presidenti ukrainas, pa dhënë detaje. Qëllimi i ofensivës, shtoi ai, është që të arrihet një paqe e drejtë sa më shpejt të jetë e mundur. (Elona)