Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen (Foto ATSH)
Komisioni Europian transferoi pothuajse 4.2 miliardë euro (4.6 miliardë dollarë) ndihmë financiare për Ukrainën.
“Financimi synon të mbajë funksionimin e shtetit ukrainas ndërsa vendi lufton për mbijetesën e tij kundër Rusisë”,- shkroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në “X”.
“Europa qëndron në mënyrë të vendosur me Ukrainën”, -shtoi ajo.
Ndihma është pjesë e Planit të BE-së për Ukrainën, i cili u miratua zyrtarisht në prill dhe do t’i sigurojë Ukrainës ndihmë financiare me vlerë 50 miliardë euro deri në fund të 2027, bën të ditur “ATSH”.
Me financimin e radhës, BE-ja ka transferuar në Ukrainë në kuadër të programit 12 miliardë euro.
Sipas kushteve të planit, Ukraina duhet të zbatojë reforma në menaxhimin e financave publike dhe qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore.
Fondet do të përdoren për të paguar pagat dhe pensionet e ukrainasve, për të ofruar shërbime bazë dhe për të mbështetur rindërtimin. (Elona)