Al (Foto Pamfleti)
Inteligjenca artificiale (artificial intelligence, AI) mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune me kohë të plotë, thotë një raport nga banka investuese Goldman Sachs. Inteligjenca artificiale gjeneruese (Generative AI), e aftë të krijojë përmbajtje të padallueshme nga puna njerëzore, është “një përparim i madh”, thotë raporti. Por deri ku mund të shkojë ky zëvendësim ?
Në një intervistë për mediat Marjana Murja, Konsulente Marketingu thotë se në zhvillimin aktual është ende herët për të menduar që inteligjenca artificiale të zëvëndësojë edhe pozicionet drejtuese në një kompani.
“Kjo është tema më e nxehtë që e tejkalon çdo lloj supozimi dhe imagjinate që ne kemi pasur dhe po i përngjan gjithnjë e më shumë atyre filmave fantashkencë që shikonim para 7 apo 8 vitesh dukej e pa arritshme realisht dhe gjithçka mund të ndodhë. Inteligjenca artificiale po bëhet ky “Frankenshtajn i madh” dhe po mundohet me çdo kusht domethënë të rikrijojë njeriun dhe automatikisht dhe të zërë pozicione që është përpjekur gjithmonë njeriu të zërë dhe gjithnjë e më shumë në shoqëri dhe komunitet. Gjithsesi të paktën në fazën që jemi në opinionin tim mendoj që inteligjenca artificiale është larg zëvendësimit të pozicioneve drejtuese. Pse? Sepse inteligjenca artificiale mund të jetë një kombinim shumë i mirë, jo vetëm pozicione drejtues por çdo lloj pozicionesh sepse të ndihmon të bëjë disa analiza që ndoshta të shkurton kohë, apo ta bën punën më të lehtë, pra është një asistent shumë i mirë, por kur flasim për pozicione drejtuese janë disa elementë, që nuk mendoj se inteligjenca artificiale ka arritur ende t’i kopjojë.
Ekspertja Marjana Murja (Foto Lnkedin)
Raporti vëren se ndikimi i AI do të ndryshojë në sektorë të ndryshëm .
“Nuk është se nuk po tentohet, tendenca tani është sesi të gjejmë mundësinë që inteligjenca artificiale të mund të zëvendësojë shumë pozicione pune me shumë role në mënyrë që të mund të ulen dhe kostot e punësimit dhe kostot e gjithë biznesit, pra të kemi më shumë fitime. Por është ky elementi që po përmendja. E para është inteligjenca emocionale. Kur flasim për inteligjencë artificiale nuk mund të flasim për një emocion nga pas dhe kur jemi në pozicione drejtuese nuk mund të shmanget lidhja që ti duhet të kesh me njerëzit. Këtë gjë nuk mund ta bëjë inteligjenca artificiale.Të paktën jo deri tani, domethënë është një element i munguar ky elementi njerëzor që do e bënte çdo lloj marrëdhënie, jo vetëm në role drejtuese por çdo lloj marrëdhënie shumë të thatë dhe jo njerëzore dhe shumë të pajetë, dhe këtë nuk po mundet që ta riprodhojë. Unë kam bërë dhe një eksperiment në fakt që kam vendosur dy tekste, njëri është prodhuar nga inteligjenca artificiale dhe tjetri është prodhuar nga një njeri i zakonshëm, shkrimtar i aftë. Është vënë re që njerëzit kanë tendencën të zgjedhin atë që është shkrimi nga njeriu, nga shkrimtari dhe arsyeja pse mënyra sesi interpretohet kjo gjë, është sepse njerëzit arrijnë të identifikojnë qoftë dhe me intuitë elementin njerëzor edhe nëse ka gabime, edhe nëse nuk është perfekt. Elementi njerëzor mbetet shumë i rëndësishëm dhe tani ka filluar të ketë lëvizje dhe një lloj ndërgjegjësimi që të mos lihet jashtë elementi njerëzor. “
Ka një element që mungon në inteligjencën artificiale në Marketing.
“Në fushën e marketingut ku unë kam ekspertizën, një nga gjërat që po diskutohet është sesi ta bëjmë më human marketingun, sepse çdo gjë po prodhohet nga inteligjenca artificiale dhe fushatat e marketingut, reklamave iu mungon ky element. Kjo është një sfidë shumë e madhe dhe do jetë sfidë.”
AI (Foto Monitor )
Ekspertja flet se si Al ka ndikuar tek kreativiteti i punonjësve.
“Edhe në pozicione drejtuese shikon persona që vijnë nga fusha e lidershipit, pra janë drejtorë, CEO, kanë dhe një skuadër menaxhimi, një element shumë i rëndësishëm është vendimmarrja, e cila është shumë komplekse. Kjo do të thotë, ti nuk mund t’ia besosh thjesht inteligjencës artificiale vendimmarrjen, sepse do të marrësh parasysh shumë faktorë. Një nga këto faktorë është intuita, një element shumë kyç kur dikush merr vendime në një pozicion të caktuar dhe intuita nuk i ka të gjitha të dhënat, intuita është një kapërcim. Pra ti thjesht mendon se kjo mund të jetë më mirë, këtë gjë nuk e bën, këtë kapërcim nuk e bën inteligjenca artificiale. Për sa i përket kreativitetit mendoj se i ka të dyja anët, domethënë nëse ti do ta përdorësh siç duhet, sepse gjithmonë kjo është pyetja e madhe. Kur pati bumin e medieve sociale, pyetja ishte po e përdor, apo po më përdor? Nëse e njëjta gjë ndodh dhe me inteligjencën artificiale, nëse ne i përgjigjemi kësaj atëherë e para mund të shërbejë që kreativiteti yt të jetë më i madh, më produktiv, ndërsa tjetra do të thotë që do të përdoresh.”
Tashmë inteligjenca artificiale është e prekshme.
“Ka dalë ritmi jashtë kontrollit, nuk mendoj se mund të frenohet më. Në momentin që kjo gjë bëhet masive dhe çdokush ka akses nuk mund ta frenosh më, sepse nuk mund ta vendosësh, nuk mund ta marrësh këtë vendim. Unë mendoj se dashje pa dashje populli është përgatitur për këtë me filmat, e kemi dëgjuar shpesh inteligjencën artificiale si term por sot është e prekshme për këdo. Kështu që nuk mendoj se mund të ndalohet dhe ajo çfarë mund të bëjmë, është të përshtatemi me këtë.”
Sipas një raporti AL, (artificial intelligence) mund të zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Europë, por mund të krijojë gjithashtu edhe vende të reja pune dhe një bum produktiviteti.