Foto nga VCG
Transfertat bankare po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt kanaleve elektronike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 3.8 milionë transferta kreditimi (pagesa) të kryera nga klientët e sektorit bankar për tremujorin e dytë 2024, gati 61% e tyre ose rreth 2.3 milionë veprime në total u kryen elektronikisht, shkruan “ATSH”.
Për të gjithë 6-mujorin 2024, pesha e veprimeve nga kanalet elektronike është rritur në 59% të totalit, ndërsa gjysmën e parë të vitit të kaluar ato përbënin rreth 56% të numrit të përgjithshëm të transfertave bankare.
Transfertat elektronike po fitojnë më shumë peshë edhe të matura në vlerë.
Rreth 39% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 6-mujorin 2024 u krye nëpërmjet veprimeve të distancë, nga 34% e që kishte qenë pesha e tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në pothuajse 1.1 milion, në rritje vjetore me pothuajse 25%. (Elona)