Turistë në Gjirokastër Foto Gazeta Tema
Turizmi është shndërruar në lokomotivën që po udhëheq ekonominë shqiptare. Shpresa për shumë subjekte që mbahen nga ky sektor janë pikërisht të ardhurat nga klientët. Por sa shpenzon një turist në vendin tonë. Eksperti i Turizmit Erion Mane bën një përllogaritje gjatë një interviste për mediat.
“Nëse bëjmë një profil të turistëve të huaj, një turist mesatarisht ka përllogaritur të shpenzojë diku tek 100 euro dita. Pa përfshirë hotelerinë, flasim për konsumimet ditore, ekskursionet që mund të bëjë gjatë ditës apo për sa i përket pjesës.”-tha Erion Mane Ekspert i Turizmit.
Për një vend si Shqipëria, që së fundmi po merr një hov të lartë në turizëm, kjo shifër është e konsiderueshme.
“Nuk është një shifër e vogël, duke pasur parasysh që prisnim të vitin 13 milionë duke i përllogaritur me 100 euro në ditë është një shifër e madhe për një vend aq sa jemi ne, dhe ndez një motor shumë të fuqishëm në industrinë e turizmit sepse pjesa më e madhe janë shërbime, pa llogaritur hotelerinë pasi varet nga cilësia e hotelit, apartamentit apo bujtinës, por janë gjëra të tjera, por mesatarisht janë afro tek 150 apo 160 euro dita për një turist.”
Gjatë takimit të bërë së fundmi me Kryebashkiakët, Kryeministri Rama përmendi rritjen e çmimeve nga hotelet, njësitë pritëse, dhe u bëri thirrje të ulin çmimet pasi mund ti kthehet në boomerang.
Eksperti i turizmit Erion Mane (Tv Scan)
“Unë e përgëzoj kryeministrin për nismën që mori por ishte vonë, pasi turisti i ka përllogaritur shumë herë më parë. Nuk kemi të bërë me pushime që do ikim një fundjavë, që do ikim nga Tirana për të bërë plazh. Turistët i kanë përllogaritur pushimet e tyre dhe i kanë ndarë. Shpresoj që kryeministri ta mbajë këtë lloj presioni për vitet e ardhshme dhe ta mbajë para sezonit dhe të krijojë mekanizma të tilla kontrollesh që kjo gjë të paktën mos të ndodhë vitin tjetër. Një kompani që ne punojmë që ne kemi bashkëpunim me ta, në muajin janar ata rezervuan në Shqipëri një numër prej 15, vetëm ajo kompani parashikonte ti sillte 15 mijë turistë vetëm në muajin janar. Dhe si përfundim arritën 6 mijë, domethënë deri tani ka arritur të sjellë vetëm 6 mijë turist dhe përllogaritja bëri 50% anulim të rezervimeve që kishte bërë tek ne.”- Erion Mane Ekspert i Turizmit.
Në intervistën e dhënë për Tv Scan, eksperti thotë se çmimet kanë ndikuar edhe në anulime rezervimesh.
“Arsyeja e vetme ishte pjesa e çmimeve që u rriten menjëherë. Në raport me cilësinë dhe pagesën që ata bënin. Kompanitë që shërbejnë janë dhe ata si puna e hotelerisë dhe ato duan të fitojnë deri diku dhe për të qenë të përgatitur në turizëm, një kompani përgatitet dhe thotë unë dua të marr në thonjëza me qira një hotel pra blen dhomat dhe duke parë volumin që kishte vjet bëri të njëjtën kërkesë me rritje prej 20% për sivjet por nuk bëri diçka që nuk pyeti turistët e vjetshëm sesa të kënaqur ishin me shërbimin që morën në Shqipëri dhe në muajin qershor ata anuluan 50% të rezervimeve. Dhe për gushtin dhe shtator kërkuan një reduktim të dhomave sepse ne nuk arrijmë ti plotësojmë tashmë.”
Më shumë të ardhura sjellin turistët që frekuentojnë hotelet ndërsa luhatje më të mëdha të çmimeve vërehen në zona si Vlora dhe Saranda.
“Ka turistë që e preferojnë këtë lloj turizmi me njësi të vogla por ata janë ata turistët që do të thotë janë grupe shoqërore, rinore, që nuk e kanë problem akomodimin apo janë grupe familjare por që janë turistë çift, janë turistë të lirë, shpenzojnë sa më pak. Por turistë që shpenzojnë shumë kërkojnë një komoditet hotelerie, me sa shohim problematika e turizmit tani në momentet që flasim problematika e turizmit qëndron nga Vlora dhe deri në Sarandë. Nëse shohim pjesën e bregdetit për sa ne po flasim, pjesën e Durrësit, kanë marrë një kulturë xha, ecin me një lloj standardi të çdo viti, dhe paketat i kanë bërë all incluzive, kanë bërë dhe shërbimin e hotelerisë në nivele të larta, dhe i shikon që gjithë kohës janë të mbushur, dhe jo vetëm me turistë të huaj, pro tashmë kanë filluar edhe emigrantë të Shqipërisë që e preferojnë atë lloj shërbimi sepse e kanë më të lehtë. Është komoditeti.”
E ndërsa Shqipëria gjithnjë e më shumë po frekuentohet nga të huajt, shumë Shqiptarë po zgjedhin pushimet jashtë shqipërisë.
Bregdeti shqiptar(Foto albinfo)
“Ka qenë në rritje goxha, shqiptarët preferojnë të kalojnë pushimet jashtë dhe më vjen keq sepse në bashkëbisedim me shqiptarët që kalojnë pushimet jashtë është pikërisht kjo teme, nuk duam të shkojmë jashtë por na bie më lirë dhe më komoditet të shkojmë të bëjmë pushime në Turqi sesa të shkojmë në jugun tonë, edhe pse detin ne e kemi më të mirë, por cilësia në raport me çmimin domethënë lë për të dëshiruar.”
Turqia vijon të jetë destinacion më i kërkuar nga Shqiptarët.
“Kam përshtypjen që edhe për nja 10 vite të tjera do të jetë.”
Kërkesa ka edhe për në Greqi, Kroaci dhe Malin e Zi.
“Preferohen goxha, Greqia preferohet, Mali i zi më pak në një numër shumë të pakët, Kroacia preferohet por ka një turizëm më elitar, ka një shërbim më të shtrenjtë dhe është ajo që ne po diskutojmë tani, është raporti çmim cilësi dhe njerëzit gjuajnë ofertat, dhe sot për sot në tregun ballkanik është Turqia.”