Kreu i IAEA-s, Rafael Grossi (Foto ATSH)
Ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë shkakun e zjarrit në centralin bërthamor në Zaporizhia.
Zjarri shpërtheu të dielën në sistemin e ftohjes së centralit, ndërsa Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për incidentin, bën të ditur “ATSH”.
Kreu i IAEA-s, Rafael Grossi, tha se ekspertët hynë në zonën e sistemit ftohëse të hënën.
“Ata vlerësuan se nuk kishte gjasa që burimi kryesor i zjarrit të kishte filluar në bazën e kullës ftohëse. Gjatë vizitës së ekipit në kullën ftohëse u përcaktua se dëmi ka shumë të ngjarë të përqendrohej në brendësi të kullës në nivelin e shpërndarjes së grykës së ujit”,- tha Grossi.
Ekspertët nuk ishin në gjendje të hynin në nivelin e shpërndarjes së grykës së ujit ose në bazën e kullës ftohëse, për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Sipas versionit rus, zjarri u shkaktua nga një dron luftarak. Ndërkohë nga pala ukrainase, kreu i administratës ushtarake në Nikopol, jo shumë larg centralit të kontestuar, citoi burime të paidentifikuara, sipas të cilave rusët i kishin vënë flakën gomave të makinave në kullën ftohëse.
Grossi theksoi se siguria bërthamore e centralit nuk është cenuar. (Elona)