Mbi 120 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në Kalanë e Gjirokastrës
2024-08-14 16:04:35

Gjirokaster (Foto ATSH)

Gjirokaster (Foto ATSH)

Kalaja e Gjirokastrës është monumenti më i vizituar në vend, teksa prej fillimit të vitit numëron mbi 120 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se qyteti i UNESCO-s po tërheq edhe numrin më të lartë të vizitorëve.

“Kalaja e Gjirokastrës renditet e para ndër sitet kulturore me 120.723 vizitorë nga janari në korrik që kanë zbuluar shpirtin, historinë dhe vlerat e këtij monumenti për të zbritur më pas në atraksionet e tjera magjike të qytetit UNESCO”,- theksoi ministrja Kumbaro, citon “ATSH”.

Turistët e huaj përbëjnë edhe numrin më të lartë të vizitorëve dhe vijnë kryesisht nga Europa dhe SHBA-ja.

Kalaja e Gjirokastrës përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Kalaja u bë e njohur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena realizoi një sërë ndërtimesh të reja, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot. (Elona)