Biden: Një armëpushim në Gaza i mundur para përfundimit të mandatit presidencial
2024-08-14 09:54:52

Foto nga VCG

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi se armëpushimi në Gaza është i mundur para përfundimit të mandatit të tij presidencial.

Në një intervistë për kanalin “CBS”, Biden bëri vlerësime lidhur me çështjen e armëpushimit në Gaza. Sipas tij, plani i armëpushimit i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është ende i zbatueshëm, citon “ATSH”.

Më 31 maj, presidenti Biden njoftoi planin e armëpushimit me 3 faza për të cilin ai nënvizoi se ishte propozimi i Izraelit.

Shkurtimisht, plani përfshinte një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e Izraelit nga e gjithë Gaza, lirimin e ndërsjellë të pengjeve dhe të burgosurve, kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gaza, dërgimin e pandërprerë dhe të mjaftueshëm të ndihmës humanitare dhe rindërtimin e Gazës.

Ndërsa Netanyahu më vonë parashtroi kushte të reja në lidhje me negociatat për shkëmbimin e pengjeve. Këto kushte parashikonin parandalimin e kthimit të palestinezëve të armatosur nga jugu në veri dhe mbajtjen e ushtrisë izraelite në korridorin e Filadelfit në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 8 gusht, SHBA-ja, Egjipti dhe Katari i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit për rifillimin e negociatave në Kajro ose Doha më 15 gusht. (Elona)