Foto nga VCG
Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Turqisë dhe aleatëve të tjerë, të cilët kanë raporte me Iranin, që ta bindin atë të ulë tensionet në Lindjen e Mesme, tha ambasadori amerikan në Turqi. Ambasadori Jeff Flake i bëri këto komente teksa rajoni i Lindjes së Mesme po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit, shkruan “Panorama”.
Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran të Iranit dhe për vrasjen e tij Irani dhe Hamasi fajësuan Izraelin, i cili po lufton me grupin radikal palestinez në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit politik të Hamasit.
“Ne u kërkojmë të gjithë aleatëve tanë që kanë raporte me Iranin që ta bindin që të ulë tensionet dhe këtu përfshihet edhe Turqia”,- tha Flake gjatë një debati në Stamboll.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që situata të mos përshkallëzohet”,- tha ai.
SHBA-ja dhe Turqia kanë pasur raporte të tendosura vitet e fundit, për shkak të aleancës së SHBA-së me kurdët sirianë që Turqia i cilëson terroristë, por edhe për shkak të blerjes së sistemeve ruse S-400 nga Ankaraja. (Elona)