Ekonomistët e grupet tregtare amerikane shprehin shqetësim rreth tarifave kundër Kinës
2024-08-14 15:51:49

Fjala kyçe: 担忧---[dān yōu]---shqetësim

Ndërsa Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara (USTR) pritet të marrë një vendim përfundimtar mbi "ndryshimet" e saj të propozuara të veprimeve ndaj Kinës sipas Seksionit 301, ekonomistët e grupet tregtare amerikane dhe organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim e zhgënjim, duke paralajmëruar se vendosja e tarifave shtesë mund të dëmtojë kompanitë dhe konsumatorët amerikanë.

foto nga CFP

Përfaqësuesja Tregtare e ShBA-së Katherine Tai / foto nga CFP

Më 14 maj, Përfaqësuesja Tregtare e ShBA-së Katherine Tai njoftoi se presidenti amerikan Joe Biden po e udhëzon atë të "ndërmarrë veprime të mëtejshme" mbi tarifat e Kinës, pasi publikimit të një shqyrtimi të rregullt katërvjeçar të tarifave sipas Seksionit 301. "Ndryshimet" e propozuara përfshijnë ngritjen e tarifave në "sektorët strategjikë", të tilla si bateritë, makinat elektrike, gjysmëpërçuesit, çeliku dhe prodhimet e aluminit.

Në fund të majit, USTR-ja shpalli një njoftim të Regjistrit Federal lidhur me ndryshimet e propozuara tarifore sipas Seksionit 301 dhe procesin e përjashtimit të makinerive, duke ftuar publikun për të bërë komente. Më 30 korrik, USTR-ja deklaroi se do të vijojë të shqyrtojë të gjitha komentet dhe parashikon ta marrë vendimin e vet përfundimtar në gusht.

Në një deklaratë të publikuar në fillim të këtij viti, Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë (USCBC), një organizatë private, e paanshme e jofitimprurëse e më shumë se 270 kompanive amerikane që kanë biznes në Kinë, shprehu zhgënjim për rezultatet e shqyrtimit të Seksionit 301.

"Ne jemi të zhgënjyer nga rezultati, sepse mbajtja e tarifave të mëparshme pa ulje dhe vendosja e tarifave shtesë do t'ua bëjnë më të vështirë kompanive amerikane të konkurrojnë brenda e jashtë vendit, do të pakësojnë vendet e punës të amerikanëve dhe do të rrisin çmimet  për prodhuesit e konsumatorët amerikanë në një kohë kur inflacioni vijon," tha Craig Allen, kryetari i USCBC-së.

"Ashtu siç kërkoi USCBC-ja në komentet tona të hapura, ne vlerësojmë krijimin nga USTR-ja të një procesi të përjashtimit tarifor, në mënyrë që kompanitë amerikane të kenë mundësi të kërkojnë lehtësimin e nevojshëm dhe të arsyeshëm, por sfera e tj duket që është e ngushtë," vuri në dukje më tej Craig Allen.

Jeffrey Sachs, profesor i ekonomisë dhe drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Vazhdueshëm në Universitetin e Kolumbias, i tha agjencisë së lajmeve "Xinhua" se tarifat e reja shkelin angazhimet e ShBA-së ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë, dëmtojnë konsumatorët dhe rrisin tensionet gjeopolitike.

Duke i bërë jehonë kësaj pikëpamjeje, Gary Clyde Hufbauer, bashkëpunëtor i lartë i jashtëm i Institutit për Ekonominë Ndërkombëtare "Peterson", theksoi të hënën se ai mendon që USTR-ja do të bëjë shumë pak ndryshime në normat tarifore sipas Seksionit 301 pas shqyrtimit të komenteve publike.

"Arsyeja është se demokratët nuk duan t'i japin Trumpit një rast për t'u ankuar që janë 'të butë me Kinën'", tha Hufbauer, një ish-zyrtar amerikan i Thesarit.

Duke vënë në dukje se tarifat ekzistuese janë pasqyruar tashmë në çmimet e konsumit dhe të biznesit në ShBA, Hufbauer tha se firmat që shpresonin për lehtësim tani do të heqin dorë nga një gjë e tillë. "As (Kamala) Harris dhe as Trump-i nuk do të (ofrojnë) shumë lehtësim për katër vjetët e ardhshëm," u shpreh ai.

Në fund të qershorit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) u shpreh në një deklaratë përmbyllëse pas përfundimit të Misionit të Nenit IV të tij në Shtetet e Bashkuara për vitin 2024, se "intensifikimi i vazhdueshëm i kufizimeve tregtare dhe përdorimi gjithnjë e më shumë i preferencave në trajtimin e interesave tregtare vendase kundrejt atyre të huaja përbëjnë një rrezik rënieje si për ShBA-në, ashtu edhe për ekonominë globale."

"Tarifat, pengesat jotarifore dhe dispozitat e përmbajtjeve të brendshme nuk janë zgjidhjet e duhura, pasi ato shtrembërojnë flukset e tregtisë e të investimeve dhe rrezikojnë të krijojnë një 'tatëpjetë të rrëshqitshme' që dëmton sistemin tregtar shumëpalësh, minon zinxhirët e furnizimit global dhe nxit veprimet hakmarrëse nga partnerët tregtarë," thuhet në deklaratën e FMN-së. (Wang Lei/ Artan)