foto nga Xinhua
Hideo Shimizu, një ish-anëtar i Njësisë 731, reparti famëkeq japonez i luftës bakteriologjike gjatë Luftës së Dytë Botërore, pranoi mizoritë e kryera nga njësia e tij dhe kërkoi falje për to, teksa vizitoi të martën një ekspozitë në qytetin verilindor kinez të Harbinit.
Shimizu, 94 vjeç, ishte pjesë e grupit të fundit të anëtarëve të Korpusit të Rinisë së Njësisë 731, të cilët u dërguan nga Japonia në Harbin. Ai kaloi më shumë se katër muaj aty, duke parë krimet e kryera nga njësia e tij, përfshirë kultivimin e patogjenëve, diseksionet dhe eksperimentet e gjalla njerëzore. Ai u largua nga Kina gjatë tërheqjes së forcave japoneze më 14 gusht 1945.
foto nga Xinhua
"Me shumë gjasa, Hideo Shimizu është ish-anëtari i fundit i Njësisë 731, i cili rikthehet në Harbin për të shprehur pendimin e tij dhe për të kërkuar falje," tha Jin Chengmin, Drejtues i Ekspozitës së Dëshmive të Krimeve të Njësisë 731 të Ushtrisë Perandorake Japoneze.
foto nga VCG
Dikur Shimizu shkroi: "Faktet historike nuk mund të fshihen. Unë jam i vendosur të rikthehem edhe njeherë në ish-vendin e Njësisë 731, për të shprehur faljet e mia më të thella për popullin kinez që u dëmtua. Gjithashtu shpresoj të zgjoj sa më shumë reflektimin dhe vigjilencën e njerëzve, për të çmuar paqen e fituar me vështirësi dhe për të shmangur përsëritjen e tragjedive të luftrave." (Fang Xiaoyu/Elona)