Përfshihet nga zjarri sistemi i ftohjes së centralit bërthamor në Ukrainë
2024-08-13 14:59:39

Ukraina (Foto A2)

Ukraina (Foto A2)

Një zjarr ka shpërthyer në sistemin e ftohjes së centralit bërthamor në Zaporizhia, në qytetin jugor të Ukrainës, Enerhodar, sipas burimeve ruse, njofton “Panorama”.

“Guvernatori i rajonit i vendosur nga Rusia, Yevgeny Balitsky, deklaroi se paraprakisht kishte pasur një sulm ukrainas në afërsi të centralit”,- shkroi agjencia shtetërore ruse e lajmeve “TASS”.

Megjithatë, ai pohoi se nuk kishte asnjë rrezik, pasi të gjitha blloqet e centralit bërthamor ishin mbyllur. Sipas tij, nivelet e rrezatimit ishin brenda intervalit normal.

Autoritetet ruse raportuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturë. Sipas burimeve ruse, zjarri u shkaktua nga një dron luftarak.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Rusinë se i kishte vënë zjarrin centralit bërthamor.

“Megjithëse nivelet e rrezatimit ishin normale, për sa kohë që rusët kontrollojnë centralin bërthamor, situata nuk mund të jetë normale”,- shkroi presidenti ukrainas në platformën “X”.

Zelensky bëri thirrje për një përgjigje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Rusia mori kontrollin e centralit më të madh bërthamor në Europë menjëherë pas fillimit të konfliktit me Ukrainën. (Fatosi)