Mundesit e Shqiperise (Foto Gazetatema)
Delegacioni olimpik u kthye të hënën në Shqipëri pas përfundimit të “Paris 2024”, ku u prit me entuziazëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shkruan “RTSH”.
Qytetarë të shumtë brohoritën mundësit Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, të cilët arritën të fitonin 2 medalje bronzi për Shqipërinë në Lojërat Olimpike.
“Jam shumë krenar për djemtë. Kjo është një ëndërr që kam dashur ta realizoja. Përulje dhe mirënjohje për këdo që nderon flamurin kombëtar. Uroj që mos të jetë hera e fundit që ne mblidhemi. Është punë e një ekipi të bashkuar dhe mendoj se duhet të gëzojmë”,- deklaroi presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni.
Dy sportistët kuqezi, Valiev dhe Dudaev thanë se vitet e ardhshme synojnë t’i sjellin Shqipërisë medalje të arta.
“Faleminderit Shqipërisë, e kam në zemër”, tha Valiev.
Ndërsa Islam Dudaev tha se synon medaljen e artë në Lojërat e ardhshme Olimpike.
“Jam shumë i lumtur. Herën tjetër me medalje të artë për Shqipërinë”,- tha ai. (Fatosi)