Gaza (Foto Panorama)
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe kanë mbështetur thirrjet për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe kthimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, shkruan “Panorama”.
Në një komunikatë të përbashkët për media të hënën, ata përkrahën përpjekjen më të re të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit për ndërmjetësimin e një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
Ndërmjetësit për muaj të tërë janë përpjekur t’i bindin palët të pajtohen për një plan me tri faza, sipas të cilit, Hamasi do t’i lironte pengjet e mbetura izraelite në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, si dhe të tërheqjes së Izraelit nga Gaza.
“Luftimet duhet të ndalen tani, dhe të gjitha pengjet që po mbahen ende nga Hamasi duhet të lirohen. Populli i Gazës ka nevojë urgjente për ndihma”,- thuhet në komunikatë, e nënshkruar nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Javën e kaluar, liderët e SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit u bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të takohen për bisedime më 15 gusht, qoftë në Katar apo Doha, për finalizimin e një marrëveshjeje.
Izraeli bëri të ditur se do t’i dërgojë negociatorët e vet për të marrë pjesë në atë takim. Hamasi njoftoi fillimisht se po e shqyrtonte ofertën, por tani ka lënë të kuptohet se mund mos të marrë pjesë, nëse bisedimet nuk bazohen në planin e presidentit amerikan, Joe Biden. (Irma)