Dita Botërore e Rinisë, kryeparlamentarja Spiropali thirrje të rinjve: Kontribuoni për Shqipërinë
2024-08-13 16:38:59

Dita Boterore e Rinise (Foto Rtsh)

Në kuadër të Ditës Botërore të Rinisë, kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali, u është drejtuar me një mesazh të rinjve shqiptarë, duke u bërë thirrje që të pasqyrojnë modelin e punëtorëve, qytetarëve të denjë e me talent që ndërtojnë jetën e tyre dhe kontribuojnë për vendin, shkruan “RTSH”.

“Kjo është dita të mendojmë, punojmë e investojmë më shumë për mbështetjen ligjore, institucionale e financiare të talenteve, nismave e sipërmarrjeve rinore në ekonominë, shërbimet dhe botën dixhitale, ku ka hyrë vitet e fundit Shqipëria”,- shkroi në një postim në rrjetet sociale kryeparlamentarja Spiropali.

Ajo u ka bërë thirrje edhe medieve që të pasqyrojnë modelet e të rinjve të ditur, punëtorë, protagonistë, qytetarë të denjë, njerëz të vërtetë, që me talent ndërtojnë jetën e tyre dhe kontribuojnë për vendin.

Sipas Spiropalit, talentet e startup-eve, ekselentët që kthehen nga universitetet e huaja për t’i shërbyer Shqipërisë, nxënësit e studentët e pasionuar pas dijeve, por edhe të rinjtë që bëjnë me dinjitet punët e thjeshta që u ofron tregu, janë modelet që duhet të ndiqen. (Fatosi)