Muzetë tërheqin të pasionuarit pas kulturës tradicionale
2024-08-13 11:01:51


Foto nga VCG

Muzetë janë në qendër të vëmendjes gjatë pushimeve verore, me plot vizitorësh të etur për t'u zhytur në kulturën e pasur tradicionale.

Në Muzeun e Kanalit të Madh të Pekinit vizitorët kanë pritur në radhë të gjata gjatë fundjavave, për të parë artefaktet Sanxingdui nga qytetërimi parahistorik Shu, i cili lulëzoi më shumë se 3000 vjet më parë në provincën e sotme Sichuan. Muzeu raportoi se piku i vizitorëve ditorë në korrik i tejkaloi 33.000.

Në Shangai, të pasionuarit pas muzeve e kanë pothuajse të pamundur të marrin bileta për ekspozitën e Muzeut të Shangait mbi Egjiptin e lashtë. Sipas sistemit të prenotimeve të muzeut, të gjitha biletat për muajin gusht janë shitur.

Popullariteti i muzeve pasqyron një rritje të ndjeshme të pasionit të njerëzve për kulturën. Kjo vjen si rezultat i promovimit të vazhdueshëm të kulturës tradicionale kineze nga presidenti Xi Jinping dhe thirrjes së tij për muzetë për të sjellë në jetë reliktet kulturore, si dhe theksin e tij në mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve.

Një rezolutë e miratuar nga Komiteti Qendror i PKK-së theksoi zhvillimin e begatë të kulturës kineze.

Ajo gjithashtu promovoi trashëgiminë e kulturës së shkëlqyer tradicionale kineze dhe bën thirrje për rafinimin e furnizimit të shërbimeve dhe produkteve kulturore.

“Ne do të promovojmë prosperitetin kulturor, do të pasurojmë jetën intelektuale dhe kulturore të popullit tonë dhe do të rrisim fuqinë e butë kulturore të Kinës dhe tërheqjen e kulturës kineze”,- thuhet në dokument.

Presidenti Xi ka theksuar në shumë raste se kultura e shkëlqyer tradicionale e Kinës janë rrënja dhe shpirti i kombit kinez dhe ai ka bërë thirrje, gjatë vizitave në muzetë dhe vendet kulturore në të gjithë vendin në vitet e fundit, për një përdorim më të mirë të relikteve kulturpre dhe për t'i bërë ato më të gjalla.

Prej vitit 2012, presidenti Xi ka vizituar më shumë se 100 vende historike dhe kulturore dhe ka lëshuar shumë udhëzime në lidhje me reliktet kulturore dhe arkeologjinë. Vendet e vizitave të tij kanë përfshirë Shpellat Mogao në provincën Gansu, Shpellat Yungang në provincën Shanxi, Muzeun Yinxu në provincën Henan dhe Muzeun Arkeologjik Kinez në Pekin.

Liu Shuguang, kreu i Shoqatës së Muzeve në Kinë, tha se mbështetja nga udhëheqësi më i lartë i vendit ka injektuar vitalitet dhe vrull në zhvillimin e muzeve.

“Muzetë po bëjnë përpjekje për të ofruar shërbime tërheqëse dhe interesante për t'iu përgjigjur thirrjes së presidentit Xi. Shërbimet e tyre tërheqëse kanë afruar shumë vizitorë”,- tha Liu.

Ai theksoi se një dekadë më parë nuk mund ta imagjinonte rritjen e popullaritetit të muzeut. Në atë kohë, shumica e vizitorëve ishin të moshuar, por tani, të rinjtë dhe prindër me fëmijë përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve.

“Të sjellësh në jetë relikte do të thotë të tërheqësh më shumë njerëz në muze. Shumë institucione kanë kaluar nga roli i tyre si vetëm koleksionistë dhe mbrojtës të veprave të artit dhe antikiteteve në ofrues të shërbimeve kulturore”,- shtoi Liu.

Foto nga VCG

Nga koncertet dhe përvojat dixhitale te shfaqjet për fëmijë, muzetë dhe institucionet kulturore po konceptojnë mënyra novatore për të argëtuar dhe edukuar publikun.

Muzeu Henan në Zhengzhou, kryeqendra e provincës Henan të Kinës qendrore, organizon koncerte për vizitorët e muzeut, me muzikantë që luajnë pjesë të lashta muzikore me instrumente tradicionale që janë kopje të antikeve të mbledhura nga muzeu, disa prej të cilave janë përdorur më shumë se 2000 vjet më parë. Stilet e veshjeve të muzikantëve janë në përputhje me dinastitë gjatë të cilave u luajtën fillimisht instrumentet e tyre specifike.

Ma Xiaolin, drejtor i Muzeut Henan, tha se ideja për koncertet erdhi nga instrumentet muzikore antike në koleksionin e muzeut. Ai tha se t'i paraqesësh në një ekspozitë nuk është aq interesante sa t'i luash dhe t'i sjellësh në jetë.

Gjatë Festivalit të Pranverës në shkurt, muzeu priti rreth 100.000 vizitorë dhe biletat e koncertit ishin të vështira për t'u siguruar. Shpellat Mogao në Dunhuang, në provincën Gansu, ku ndodhen disa prej arteve më të mira budiste të Kinës, ngritën një qendër realiteti virtual në shtator 2023, për të ofruar një përvojë gjithëpërfshirëse. Përmes kufjeve, vizitorët mund të eksplorojnë një shpellë dixhitale, një kopje e një shpelle që hapet rrallë për publikun për qëllime ruajtjeje, të admirojnë nga afër muralet me definicion të lartë dhe mund të zhyten në historitë e përshkruara në veprën e artit.

Kur presidenti Xi vizitoi Shpellat Mogao në vitin 2019, ai theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore botërore duhet të vendoset mbi turizmin, si prioritet kryesor.

Lei Zhengguang, anëtar i ekipit promovues në Akademinë Dunhuang, tha se qendra e realitetit virtual është një mënyrë e mirë për t'i shërbyer qëllimit të dyfishtë të ruajtjes dhe përmirësimit të përvojës së vizitorëve.

Kkufiri ditor i vizitorëve është rritur në 18.000, por kërkesa mbetet e pangopur.

“Për ata që nuk mund të hyjnë, përvoja përfshirëse dixhitale është një alternativë magjepsëse”,- tha Lei.

Muzeu Liaoning në Shenyang, kryeqendra e provincës Liaoning të Kinës verilindore, tërheq fëmijët dhe adoleshentët duke organizuar shfaqje inovative, për t'i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë atë që u mësohet në shkollë.

Vitin e kaluar, muzeu realizoi evente që rrëfenin historitë e poetëve të njohur të lashtë, të nxjerra nga koleksioni i gjerë i objekteve të institucionit nga epokat e poetëve. Muzeu ka nisur gjithashtu një projekt të ri për të përfshirë më shumë vizitorët e rinj.

Foto nga VCG

Fëmijët ftohen të interpretojnë role, të recitojnë poezi dhe të përjetojnë se si ishte jeta e përditshme për poetët.

“Është një kohë e shkëlqyer për muzetë. Njerëzit janë më të interesuar për kulturën se kurrë më parë. Për të përmbushur këtë kërkesë, ne duhet të punojmë shumë dhe të gjejmë mënyra inovative për të përmirësuar shërbimet tona”,- deklaroi Dong Baohou, zëvendësdrejtori i muzeut.

Në një letër, duke iu përgjigjur ekspertëve të Muzeut Kombëtar të Kinës në vitin 2022, presidenti Xi u kërkoi punonjësve të muzeut të japin kontribute në zhvillimin e muzeve të Kinës. Ai theksoi rëndësinë e shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve dhe bëri thirrje për ruajtjen, përcjelljen dhe shfaqjen më të mirë të arritjeve të shkëlqyera të qytetërimit kinez.

“Ne do të thellojmë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë me qytetërimet e tjera dhe do ta prezantojmë më mirë kulturën kineze në botë”,- tha ai.

Në dy vitet e fundit, muzetë kanë ndërmarrë hapa për të nxitur shkëmbimet kulturore midis qytetërimeve të ndryshme.

Në mesin e prillit, Muzeu i Pallatit të Pekinit, i njohur gjithashtu si Qyteti i Ndaluar, dhe Pallati i Versajës në Francë mbajtën një shfaqje në Pekin, që shfaqte shkëmbimet midis Kinës dhe Francës në shekujt XVII dhe XVIII. Ekspozita paraqiti rreth 200 artefakte kulturore dhe tërhoqi shumë vizitorë.

Gjithashtu në prill, një ekspozitë që tregon artin dhe kulturën e dy shteteve misterioze në provincën Hubei të Kinës qendrore, rreth 2000 vjet më parë, u prezantua para një audience amerikane në Muzeun e Artit Aziatik në San Francisko, shfaqja më e madhe arkeologjike nga Kina që nga viti 2020.

Jeremy Zhang, kuratori kryesor i Muzeut të Artit Aziatik, tregon se ai ndjeu mbështetjen e fortë nga qeveria kineze për shkëmbimet kulturore. Falë kësaj mbështetjeje, muzeu do të ketë shanse të mëtejshme në të ardhmen për të punuar më thellë me muzetë kryesorë kinezë, duke përfshirë Muzeun e Pallatit.

Më 17 korrik, Muzeu i Shangait hapi ekspozitën e tij më të madhe ndonjëherë me temë, me 788 artefakte nga periudha të ndryshme të historisë së Egjiptit, e cila u konsiderua si ekspozita më e madhe e qytetërimit të lashtë egjiptian në Azi.