Monedha (Foto Scantv)
Në muajin korrik u regjistrua një rekord i ri sa i takon numrit dhe vlerës së transaksioneve të kryera përmes sistemit AIPS, njofton “ATSH”.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i transaksioneve të realizuara përmes këtij sistemi arriti thuajse 30 mijë gjatë muajit korrik, mbi 3 mijë transaksione më shumë se në muajin qershor.
Ndërkohë që vlera e pagesave të transferuara përmes sistemit AIPS kapi shifrën 474 milionë euro nga 368 milionë që ishte në qershor.
Sistemi ndërbankar i pagesave me vlerë të madhe AIPS, ka reduktuar me disa miliona euro, kostot e tarifave të transfertave për qytetarët dhe bizneset.
Gjatë vitit 2023, sistemi i pagesave AIPS në euro u ka kursyer bizneseve dhe individëve mbi 37 milionë euro.
Gjithashtu, sistemi AIPS ka ndikuar në reduktimin e kohës së nevojshme për shlyerjen e një transaksioni në euro brenda vendit, si dhe ka kontribuar në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.
AIPS (Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare) është sistemi i shlyerjes bruto, në kohë reale të urdhërpagesave, në mënyrë të parevokueshme dhe të pakushtëzuar. Në të procesohen të gjitha pagesat ndërbankare me vlerë të madhe, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në monedhën kombëtare lek. (Fatosi)