< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Shqipërisë
2024-08-13 10:41:04

Projekti i Portit të ri tregtar të Porto Romanos (Foto Revista Monitor)

Projekti i Portit të ri tregtar të Porto Romanos (Foto Revista Monitor)

Pasi kompania holandeze Royal Haskoning përfundoi fazën e studimit të leverdishmërisë dhe projektimit, më 30 korrik 2024, qeveria shqiptare hapi garën për tenderin e ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj gare merrnin pjesë përfaqësues të 15 kompanive të huaja të ndërtimit të porteve. Pesë prej tyre përfaqësojnë sot kantiere detare ndër më të njohura në botë, secila me asete ndërtimi nga qindra deri në miliarda dollarë ose euro.

Porti tregtar kombëtar i Porto Romanos do të lidhë në vijim tregtinë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë, përmes hekurudhave 100 përqind elektrike, të cilat do të ndërtohen në akset Durrës-Rrogozhinë-Qafë Thanë dhe Durrës-Vorë-Hani i Hotit, si dhe përmes dy porteve të thata, që do të ndërtohen në Prishtinë dhe në Strugë.

Hapësirat e mëdha në Porto Romano përbëjnë mundësi për terminale logjistike, për zhvillimin e dhjetëra zonave ekonomike, me veprimtari prodhuese dhe shërbimi, të cilat sot nuk kemi mundësi t’i zhvillojmë në portin aktual në Durrës.

Duke qenë se Porti i ri i Porto Romanos do të jetë porti ynë kryesor në të ardhmen dhe me rëndësi parësore strategjike, ekonomistët parashikojnë që kontributi i tij në ekonominë tonë të jetë deri në 3 përqind çdo vit. Pra, ekonomia jonë shtohet me 3 përqind nga aktiviteti shumë më i rritur i portit tregtar në Porto Romano, në krahasim me portin aktual të Durrësit.

Zvkryeministrja Belinda Balluku në ceremoni (Foto A2CNN)

Zvkryeministrja Belinda Balluku në ceremoni (Foto A2CNN)

Prodhimi ynë kombëtar për vitin 2023 ishte 22 miliardë euro. Nëse porti i ri në Porto Romano do të vihej në funksionim tani, ai do të jepte një kontribut prej 660 milionë eurosh më shumë në vit për ekonominë e vendit.

Porti i ri tregtar do të ofrojë veprimtari ngarkimi-shkarkimi anijesh dhe qëndrimi të tyre në radë, me kapacitete me herë më të mëdha, se sa ofron sot porti aktual në qytetin e Durrësit. Ai do të ketë kapacitete përpunimi më të larta, me thellësi më të madhe dhe strehim dhe parkim anijesh më të mëdha.

Porti në Porto Romano do të ofrojë dyfishim të mundësive përpunuese dhe strehuese në port, në raport me kapacitetet aktuale për kontejnerët në portin e sotëm 2700 vjeçar të Durrësit.

Nga ana tjetër, një port i ri tregtar nuk është vetëm një mundësi për të ngarkuar dhe shkarkuar mallra dhe kontejnerë. Ai përbën një mundësi për të prodhuar më shumë dhe për të zhvilluar më shumë ekonominë tonë.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në hapjen e tenderit ndërkombëtar në Porto Palermo, theksoi se “Projektet nuk nisin në momentet kur ato publikohen si sot, në formën e thirrjes së interesit nga kompanitë. Projekte e mëdha nisin kur fillon i gjithë procesi në tryezë i mbledhjes së të dhënave, i krijimit të gjithë grupit të nevojshëm të ekspertëve, i projektimit, i oponencës është një histori gjithmonë shumë më e gjatë sesa dëshira dhe nga nganjëherë sesa limitet e durimit, pasi normalisht qytetarët dëgjojnë dhe presin dhe durimi e para, nuk është ndër virtytet e shqiptarëve dhe e dyta në kohët tona është një nga mallrat më të rrallë.

Por, nga ana tjetër është shumë e mirëkuptueshme për shqiptarët, sepse kanë pritur shumë, jashtëzakonisht shumë, kanë pritur shekuj që më në fund të bëjnë zgjedhjen e tyre, gjithmonë kanë jetuar nën zgjedha që kanë ardhur si rezultat i zgjedhjes së të tjerëve për ta. Dhe për herë të parë në histori, shqiptarët në këto 30 e kusur vite jetojnë me zgjedhjen e tyre. Kanë zgjedhur që ky vend të bëhet më në fund pjesë e familjes së bashkuar të vendeve të lira dhe demokratike.

Por, nga ana tjetër nga momenti i asaj zgjedhje deri tek zgjidhjet është një histori më vete, sepse e shkuara është një barrë shumë e madhe në të gjithë kuptimet për ne.

Prezantimi i projektit të portit (Foto MIA)

Prezantimi i projektit të portit (Foto MIA)

E shkuara jonë është njësoj si Porti i Durrësit në qendër të qytetit. Një port që është një plagë, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik sepse e dimë shumë që gjithë ajo rrëmujë dhe gjithë ai kaos për shumë e shumë vite ka qenë edhe një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale.

Largimi i Portit të Durrësit nga qendra e qytetit dhe vendosja e tij këtu, tërësisht me një tipologji, karakteristika dhe përmasa të reja, është hapja e një kapitulli të ri në historinë e qytetit dhe për historinë ekonomisë tonë kombëtare dhe në historinë e sigurisë tonë kombëtare”.

Porti i ri në Porto Romano do t’i japë përmasat dhe rëndësinë që i takon Korridorit të Tetë, këtij boshti rrugor tejet të rëndësishëm  në Ballkanin Perëndimor. Ai do të orientojë shumë flukse tregtare dhe shkëmbimesh, të cilat deri më sot kanë qenë jashtë rrezes së influencës të ekonomisë së Shqipërisë.

Fondi limit për ndërtimin e portit është 392 milionë euro. Faza e tenderimit do të zgjasë 45 ditë dhe në muajin mars ose prill 2025 pritet nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese të tenderit.

Projekti i Royal Haskoning që po tenderohet përfshin ndërtimin e një baseni të ri në port, një kanal hyrës të ri, kalata të reja portuale për kontejnerët dhe terminal të ri kontejnerësh, bashkë me ndërlidhjen me hekurudhën dhe rrugën automobilistike.

Prezantimi i Portit tregtar të Porto Romanos (Foto Veritas)

Prezantimi i Portit tregtar të Porto Romanos (Foto Veritas)

Një aset i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Këto dy qendra të mëdha përpunimi kontejnerësh në tokë e bëjnë edhe më të dobishëm dhe më me përfitim investimin në Porto Romano. 

Aktualisht, 30 përqind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë, ose në drejtim të Kosovës, ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera.

Ndërtimi i portit të ri tregtar të Porto Romanos pritet të përfundojë brenda vitit 2028. Kostoja totale e këtij projekti, i cili do të financohet tërësisht nga Buxheti i Shtetit, pritet të mos i kalojë të 392 milionë eurot. 

Fatos Çoçoli

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree