Ministri izraelit i Mbrojtjes (Foto Balkanweb)
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, paralajmëroi Iranin dhe milicinë libaneze të Hezbollahut që të shmangin sulmet hakmarrëse kundër Izraelit, pasi Hezbollahu njoftoi se kishte sulmuar një bazë stërvitore izraelite me drone, shkruan “ATSH”.
“Kushdo që na dëmton në një mënyrë që nuk ka ndodhur më parë, ndoshta do të goditet në një mënyrë që nuk ka ndodhur më parë”,- tha Gallant, duke argumentuar se Izraeli po lufton për ekzistencën e tij në një mjedis armiqësor.
Izraeli po përgatitet për një sulm pas vrasjeve brenda disa ditësh të dy kundërshtarëve kryesorë izraelitë në javët e fundit: një komandant i Hezbollahut në Bejrut dhe udhëheqësi politik i grupit militant palestinez Hamas, Ismail Haniyeh, në Teheran.
“Shpresoj që ata ta mendojnë këtë mirë dhe mos të arrijnë në një pikë ku të na detyrojnë të bëjmë dëme të konsiderueshme dhe të rrisin gjasat e shpërthimit të luftës në fronte të tjera. Ne nuk e duam këtë, por duhet të jemi të përgatitur”,- tha Gallant.
Hezbollahu njoftoi se kishte përdorur një sërë dronësh sulmues në bazën Mahava Alon në Izraelin verior, të shtunën në mbrëmje, duke shkaktuar viktima të konfirmuara.
Sulmi erdhi si përgjigje ndaj vrasjes nga Izraeli të anëtarit të Hamasit, Samer al-Haj, të premten, në qytetin port të Sidonit, në Liban.
Hezbollahu bëri gjithashtu të ditur se sulmoi një grup ushtarësh izraelitë pranë kufirit.
Ushtria izraelite konfirmoi se dronët kishin fluturuar mbi territorin izraelit nga Libani.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është betuar se do të hakmerret pas vrasjes së komandantit ushtarak të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut, më 30 korrik.
Vdekja e Haniyeh në kryeqytetin iranian pasoi më 1 gusht, duke bërë që udhëheqja iraniane të betohej për hakmarrje ndaj Izraelit, të cilin e fajësoi për sulmi. (Fatosi)