Bjellorusia (Foto Atsh)
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se Bjellorusia ka filluar të vendosë tanke në kufirin me Ukrainën, pasi thuhet se janë rrëzuar disa dronë luftarakë ukrainas në hapësirën ajrore të vendit.
Ministria publikoi një video në “Telegram” që tregon tanke duke u ngarkuar në vagonat e transportit hekurudhor.
“Njësitë janë vënë në gatishmëri për të kryer urdhrat”,- thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky veprim vjen pasi presidenti Alexander Lukashenko urdhëroi përforcimin e trupave në zonat juglindore Gomel dhe Mazyr që kufizohen me Ukrainën, për të qenë në gjendje të reagojnë ndaj provokimeve të mundshme nga vendi fqinj.
Presidenti Lukashenko tha se mbrojtja ajrore ishte vënë në gatishmëri të plotë pas ndërhyrjes së 10 dronëve ukrainas në pjesën lindore të vendit në zonën e Kastsyukovich.
Ai tha se Bjellorusia rrëzoi disa avionë ukrainas, raportuan mediat shtetërore. Ndërhyrja në hapësirën ajrore thuhet se ka ndodhur të premten.
Ministria e Jashtme e cilësoi inkursionin e supozuar si një përpjekje të rrezikshme për të zgjeruar zonën aktuale të konfliktit në rajon.
Ministria e Jashtme bëri të ditur se Bjellorusia do të përdorë të drejtën e saj për vetëmbrojtje dhe do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj çdo provokimi apo akti armiqësor.
Ministri i Mbrojtjes, Viktor Khrenin, deklaroi se ai kishte urdhëruar gjithashtu transferimin e raketave balistike “Iskander” dhe raketave “Polonez” në rajon. (Fatosi)