Kolë Ivanaj: Kur bëj bamirësi ndjej kënaqësi të madhe shpirtërore
2024-08-12 10:56:36

KolëIvanaj është biznesmen i suksesshëm dhe një bamirës që jeton prej 40 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka ikur në moshë fare të re në emigrim dhe me punën e tij të palodhur ka arritur të hapë biznesin e tij në një vend tëhuaj. Ai është themelues dhe drejtues i kompanisë “Niko Home Design Center” në Miçigan, një biznes familjar që merret kryesisht me importimin e punimeve të drurit.

Kole Ivanaj gjatë një ceremonie vlerësimi (Foto personale)

Kole Ivanaj gjatë një ceremonie vlerësimi (Foto personale)

Ivanaj është dhe bamirës i njohur dhe ka ndihmuar mjaft persona dhe familje në nevojë. Për të bamirësia është një kënaqësi shpirtërore që e lumturon sa herë ndihmon të tjerët. Para pak kohësh Kolë Ivanaj u vlerësua me çmimin “Shën Tereze”, në një event të organizuar në Tiranë. Në  intervistë për Radio Ejani ai tregon për jetën e tij në emigracion, kompaninë që drejton dhe mallin për vendlindjen.

CMG: Prej sa vitesh jetoni në SHBA?

Kolë Ivanaj: Unë kam emigruar nga malësia në anën e Malit të Zi në vitin 1985 dhe po bëhen gati40 vite. Me thënë të vërtetën edhe pse isha djalë i ri, nuk isha i kënaqur që u largova nga vendi im. Unë mbarova shërbimin ushtarak të ish-Jugosllavisë dhe pasi e kreva kërkova të gjeja një punë dhe konkurrova në disa vende, por ne shqiptarëve  në Malin e Zi na vinte radha e dytë për punësime. Kështu që vendosa të emigroja, por gjithmonë me një mendim siç bëjnë shumica e shqiptarëve që shkojnë për pak kohë dhe mendojnë të rikthehen.  Në SHBA kisha dajat e mi, që kishin ikur vite më parë dhe isha i mirëpritur prej tyre sepse më donin si fëmijët e tyre. Ata merreshin me biznese të restoranteve, dhe unë fillova të punoja te ata në Detroit të Miçiganit.

Kole Ivanaj (Foto personale)

Kole Ivanaj (Foto personale)

CMG: Si u integruat në fillim me jetën atje?

Kolë Ivanaj: Nuk ishte i lehtë integrimi, sepse unë nuk isha mësuar të largohem nga familja, porqë atëhere e shihja se nuk kishte përparim në Malin e Zi dhe u detyrova të iki.

CMG: Si arritët të merreshit me biznes në SHBA, a kishit vështirësi për të arritur qëllimet tuaja?

Kolë Ivanaj: Unë punova një vit te dajat, u përshtata sikur të kisha punuar me vite me radhë. Pas një viti rregullova letrat dhe shkova të vizitoj familjen në malësi. Unë qëndrova një muaj me familjen, por që të më ruanin punën një muaj ishte pak e vështirë në SHBA. Kështu që kur u ktheva në SHBA, më thanë se kishin marrë punëtor tjetër në punë. Ky ishte një plus i madh për mua sepse më shtyu për të bërë diçka për veten. Fillimisht kërkova nëpër shokë se kush kishte ndonjë restorant për të shitur dhe pse nuk kisha shumë mundësi financiare, por mendova se dikush do më ndihmonte në hapat e parë. E gjeta një malësor që kishte një restorant për të shitur  dhe e pyeta nëse ishte e mundur të rrija në restorant një javë, për të parë sesi shkonte puna aty. Fillimisht më ndihmuan disa të afërmit e mi. Kështu nisa biznesin e parë, duke punuar 14-15orë në ditë me klientë dhe vazhdova më tutje të merrem vetë me biznes.

CMG:Cila është kompania që ju drejtoni dhe si kanë qenë rezultatet e deritanishme?

Kolë Ivanaj: Kompania që drejtoj tani është Niko Import-export, merremi kryesisht me importimin e gjërave të drurit, siç janë parkete, kabinete për kuzhina, por merremi dhe me gjëra të tjera si pllaka dhe dyer, pra gjithçka që i nevojitet një shtëpie për t’u ndërtuar nga brenda. Në Miçigan jemi ndër kompanitë më të mëdha, ku njerëzit na njohin se kemi shumë vite që merremi me këtë punë. Këtu kam punësuar familjen, dy djemtë e mi dhe dy fëmijët e vëllait tim.

Kole Ivanaj gjatë spektaklit Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës (Foto personale)

Kole Ivanaj gjatë spektaklit Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës (Foto personale)

Cmimi i Shën Terezës për Kole Ivanaj (Foto personale)

Cmimi i Shën Terezës për Kole Ivanaj (Foto personale)

CMG: Keni mbështetur shtresat në nevojë, duke ju gjendur në momentet e vështira. Si ndjeheni kur bëni bamirësi?

Kolë Ivanaj: Ajo është kënaqësia më e madhe shpirtërore, ndjej një kënaqësi në shpirt kur ndihmoj të tjerët, pa marrë parasysh se kush është dhe ku është. Nuk ka gjë më të mirë se të ndihmosh të tjerët. Kur bëj bamirësi ndjehem vërtetë i lumtur, sepse është e lehtë të jesh vetëm për vete, por kur mendon dhe kujdesesh edhe përtë tjerët aq sa mundesh, ajo është kënaqësia dhe lumturia më e madhe e njeriut.

CMG: Sa ju mungon vendlindja, a vini shpesh për ta vizituar?

Kolë Ivanaj: Vendlindja më mungon shumë. Unë vij shpesh dhe këto vitet e fundit vij ndoshta dhe dy-tre herë në vit. Këtë vit kam qëndruar pothuajse në malësi pesë muaj. Aty ku kam lindur e ndjej pushimin dhe kënaqësinë shpirtërore. Meqenëse jam marrë me tregti, kam patur rastin të shëtis gjithë botën, prej Amerikës së Jugut e Veriut, Azinë dhe Europën, por kurrë kund si vendin tim nuk kam gjetur. Shqipërinë e vizitoj çdo herë që vij në malësi. Kur isha këtë herë në Tiranë ndjeva kënaqësitë madhe, sepse e pashë që Tirana ishte zhvilluar shumë. Gjithashtu dhe bashkëshortja ka të njëjtin mendim për ndryshimet në Tiranë, sepse ishte bërë vërtetë qendër europiane.

CMG: Para pak kohësh u vlerësuat në një event në Tiranë me titullin e “Nënë Terezës”.Si u ndjetë me këtë vlerësim të veçantë?

Kolë Ivanaj: Ishte vërtetë një event i veçantë, ku vetëm emrin të dëgjojmë të Shën Terezës, është e mjaftueshme. Jam shumë i kënaqur për organizimin e këtij eventi, ku na vlerësuan dhe kam mbetur pa fjalë sesa bukur ishte ai spektakël i mrekullueshëm.

Kole Ivanaj gjate nje aktiviteti (Foto personale)

Kole Ivanaj gjatë një aktiviteti (Foto personale)

CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në SHBA?

Kolë Ivanaj: Komuniteti shqiptar këtu në SHBA është ndoshta më i organizuar se tek ne në malësi. Nuk kam informacion se çfarë ndodh në Shqipëri, por tek ne në malësi i shoh disa mungesa organizimi për ditën e Flamurit, organizohen gjëra por jo ashtu si  duhet. Në SHBA bëhen organizime të mëdha në rastin e festave kombëtare. Shoqatat shqiptare në Miçigan na bashkojnë më shumë se gjithçka tjetër. Këtu bëhen takime, tubime dhe festa të ndryshme shqiptare. Gjithashtu këtu është shkolla shqipe te Kisha e Shën Palit, një qendër e madhe në diasporë, ku familjet i dërgojnë fëmijët e tyre të vegjël për të mësuar gjuhën shqipe, për të mos harruar se ngakemi ardhur.

CMG: Keni menduar të investoni në vendlindje apo Shqipëri?

Kolë Ivanaj: Nuk ka ditë që nuk mendoj për këtë punë. Unë bashkë me vëllezërit i kemi shtëpitë në malësi, por tani por ndërtoj një shtëpi tjetër në vendlindje, dhe gjithnjë kërkoj të investoj në malësinë tonë ose në Shqipëri. Qëllimi dhe dëshira ime më e madhe është që një prej djemve e mi të kthehet për të jetuar atje, për të mos harruar vendet e të parëve që gjithë jetën kanë bërë sakrificë të madhe, për të na krijuar ne një jetë më të mirë. Nuk duhet të harrojmë as varret e të parëve tanë, por me shpresë të Zotit bëhet më mirë, që dhe të rinjtë të vijnë atje për të punuar e investuar.

Kole Ivanaj ne Malesi (Foto personale)

Kole Ivanaj në Malësi (Foto personale)

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Kolë Ivanaj: Përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që janë. Do ju thoja të rinjve që sa munden mos ta lenë vendin e tyre.

Intervistoi:Gazmend Agaj