Hapet pas 32 vitesh porta e tunelit të Porto-Palermos, do jetë atraksion turistik
2024-08-12 12:27:00

Foto nga RTSH

Për herë të parë pas 32 vitesh, porta e tunelit të fortifikuar detar të Porto-Palermos është hapur për ta përshtatur atë në një atraksion turistik, shkruan ATSH. Projekti i konceptuar nga Ministria e Mbrojtjes synon rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.

Zona që nuk do të përdoret për veprimtari ushtarake ka filluar të jetë një destinacion turistik i privilegjuar, duke respektuar normat mjedisore dhe duke ofruar kushte të larta sigurie lundrimore.  Projekti synon gjithashtu të rikthejë në gatishmëri teknike asetet e çmuara të Forcës Detare shqiptare, të cilat mund të shërbejnë për qëllime stërvitjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.

Hapja e tunelit u krye nën drejtimin e stafit inxhinierik të Batalionit të Xhenios pa hasur ndonjë problem, pavarësisht tri dekadave mosaktivizim. Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto-Palermos.  Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988.(Fatosi)