Foto nga VCG
Rreth orës 5:30 të mëngjësit të së dielës, forcat policore të Serbisë i kanë larguar protestuesit që kanë bllokuar dy stacione hekurudhore në qendër të Beogradit, qysh prej mbrëmjes së 10 gushtit, njoton panorama.al.
Ata i kanë bllokuar stacionet hekurudhore “Beograd qendër – Prokop” dhe “Novi Beograd”, pasi kanë mbajtur një protestë në qendër të kryeqytetit serb, kundër planeve për punime në minierën e litiumit.
Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “në përputhje me ligjet e Serbisë dhe fuqitë ligjore”, është rikthyer trafiku hekurudhor. Mes tjerash, është bërë e ditur se policia ka nisur proces penal kundër të gjithë pjesëmarrësve, për pengim të trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezik të sigurisë së qytetarëve.
Në protestën e 10 gushtit, protestuesit fillimisht kanë nisur marshin në qendër dhe më pas janë nisur drejt urës Gazella. Mijëra persona janë mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon nxjerrjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë, prej kompanisë Rio Tinto.
Pas protestës së 10 gushtit, Rio Tinto ka vlerësuar se “është duke u kryer fushatë intensive e dezinformimit kundër projektit Jadar, përmes së cilës po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta, kinse projekti do të ketë ndikim shkatërrues në ambient dhe në shëndetin e njerëzve”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë tjerë të lartë kanë thënë se synimi kryesor i protestës është “rrëzimi i Qeverisë”.
Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve. Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i shfrytëzimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës.(Fatosi)