foto nga VCG
Forumi Botëror i Zhvillimit të Rinisë i vitit 2024 u hap të hënën në Pekin, me më shumë se 2000 të rinj nga mbi 130 vende dhe 20 organizata ndërkombëtare që marrin pjesë, si në internet ashtu edhe në terren.
E hëna shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Më shumë se 500 lider të rinj dhe përfaqësues të të rinjve u mblodhën së bashku në Pekin për ceremoninë e hapjes së forumit dhe mbledhjen plenare.
Në një video-mesazh, zv/Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së Amina Mohammed tha se të rinjtë janë forca shtytëse e Axhendës së Kombeve të Bashkuara të vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ajo bëri thirrje për mbështetje më të madhe për zhvillimin e rinisë.
Mohammed tha se qeveritë, organizatat shumëpalëshe, sektorët privat dhe shoqëria civile duhet të sigurojnë burimet dhe platformat që u nevojiten të rinnjve për të dëgjuar zërin e tyre. Gjithashtu u zotua se Zyra Rinore e Kombeve të Bashkuara do të bashkëpunojë me sistemin e OKB-së dhe ekipet përkatëse në mbarë botën, për të përforcuar zërat e të rinjve.
Ajo theksoi mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të rinisë, rëndësinë e arsimimit dhe aftësive cilësore në fuqizimin e tyre.
foto nga VCG
“Të gjithë sektorët e shoqërisë duhet të krijojnë hapësira ku ju mund të merrni përgjegjësira dhe të bëni ndryshime për shoqëritë paqësore dhe demokracitë e fuqishme,”u tha ajo pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit do të vizitojnë edhe qytete të tjera si Nanningu dhe Hangzhou, në ditët në vijim. Ata do të përfshihen në diskutime rreth zhvillimit të gjelbër, zhvillimit dixhital, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, si dhe qyteteve të orientuara drejt zhvillimit të të rinjve.
foto nga VCG
Sipas organizatorit të forumit me temë "Së bashku për një të ardhme më të mirë", ky aktivitet pritet të shërbejë si një rast i rëndësishëm për të bashkuar forcën e të rinjve për zbatimin e Agjendës së Kombeve të Bashkuara të vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Nismës për Zhvillim Global.
Forumi organizohet nga Federata Rinore Kombëtare e Kinës në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara në Kinë dhe Komitetin Organizativ. Edicioni i parë i forumit u mbajt në vitin 2022. (FangXiaoyu/Elona)