Autoritetet qendrore të Kinës i dërguan një mesazh urimi delegacionit olimpik të vendit të tyre të dielën për arritjet dhe sportivitetin e treguar në Lojërat Olimpike të Parisit 2024.
"Ju keni fituar lavdi për vendin e popullin tonë dhe ju urojmë ngrohtësisht e përzemërsisht", thuhet në një mesazh të dërguar bashkërisht nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe Këshilli i Shtetit.
Delegacioni sportiv i Kinës në ceremoninë e mbylljes të Olimpiadën e Parisit, 11 gusht 2024 / foto CFP
Kina e përfundoi konkurrimin në Olimpiadën e Parisit duke u renditur në vendin e dytë në tabelën e përgjithshme të medaljeve, me 40 medalje ari, 27 argjendi e 24 bronzi, duke shënuar rezultatin e vet më të mirë në Lojërat Olimpike jashtë vendit.
"Ju keni zbatuar me zell frymën sportive kineze dhe shpirtin olimpik, duke u përpiqur të fitoni medalje jo vetëm me paraqitjen tuaj sportive, por edhe me integritetin moral, shpirtin sportiv dhe konkurrencën e pastër", thuhet në mesazh.
"Ju keni praktikuar aktivisht moton olimpike 'Më shpejt, më lart, më fort - së bashku', duke u angazhuar në konkurrim të ndershëm e shkëmbime miqësore me sportistët nga e gjithë bota. Duke e bërë këtë, ju keni përmirësuar aftësitë tuaja, keni thelluar miqësinë dhe i keni dëshmuar botës forcën, shpirtin e imazhin e Kinës, duke përhapur zërin dhe vlerat e Kinës."
"Arritjet dhe paraqitja juaj e shkëlqyer kanë nxitur më tej patriotizmin e popullit kinez, brenda e jashtë vendit, kanë ngritur shpirtin kombëtar dhe i kanë bashkuar njerëzit drejt përparimit," shtohet në mesazhin e urimit.
Komiteti Qendror i PKK-së dhe Këshilli i Shtetit u bëjnë thirrje sportistëve të vijojnë të fokusohen në objektivin e shndërrimit të Kinës në një vend të fortë sportiv, të përpiqen vazhdimisht për të arritur lartësi të reja në sporte dhe të kontribuojnë në realizimin e modernizimit të Kinës e në rilindjen e madhe të kombit kinez.
Delegacioni sportiv i Kinës në ceremoninë e mbylljes të Olimpiadën e Parisit, 11 gusht 2024 / foto CFP
Në një konferencë shtypi të zhvilluar të dielën nga delegacioni sportiv i Kinës në Olimpiadën e Parisit, zv.kryetari i këtij delegacioni Zhou Jinqiang tha se në këtë edicion të Olimpiadës, delegacioni kinez arriti rezultatin më të mirë jashtë vendit, qysh prej vitit 1984, kur Kina pati pjesëmarrjen e parë të plotë në Lojërat Olimpike Verore.
Zhou tha se kësaj here 404 sportistë e sportiste kineze konkurruan në 232 ndeshje a gara të 42 disiplinave të 30 sporteve dhe fituan 40 medalje të arta, duke realizuar përparime në sasinë dhe cilësinë e medaljeve të arta, me kapërcimin e 39 medaljeve të arta të fituara në Londër dhe 38 në Tokio. Numri i fituesve të medaljeve të arta arriti në 60, shifër kjo që shënon rekord për sa u përket lojërave olimpike jashtë vendit dhe duke arritur në të njëjtin nivel me Olimpiadën e Pekinit. Krahas kësaj, në qitje, not e peshëngritje, sportistët kinezë thyen një rekord botëror dhe vendosën nëntë rekorde olimpike. (Wang Lei/ Artan)