Kryediplomati kinez Wang Yi / foto nga CFP
Kryediplomati kinez Wang Yi tha se vrasja e kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, ishte një veprim që "shkel seriozisht" normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mund të prishë drejtpërdrejt procesin e bisedimeve për armëpushimin në Gazë.
Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe ministër i Jashtëm i Kinës, i tha këto gjatë një bisede telefonike të dielën me ministrin e Jashtëm në detyrë të Iranit Ali Bagheri.
Haniyeh u vra nga Izraeli më 31 korrik në Teheran, ku ndodhej për të ndjekur ceremoninë e marrjes së detyrës nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian.
Kina e kundërshton dhe e dënon kategorikisht këtë vrasje, theksoi Wang, duke shtuar se përparësia kryesore tani është që komuniteti ndërkombëtar të bashkohet për t'u bërë thirrje të gjitha palëve në konflikt të zbatojnë efektivisht rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit dhe të krijojnë kushte për realizimin e armëpushimit të përhershëm dhe të gjithanshëm në Gazë.
Nga ana e tij, Bagheri e falënderoi Kinën për qëndrimin objektiv në këtë çështje dhe shprehu shpresën se Kina do të luajë një rol më të madh në ndërmjetësimin për situatën në Gazë dhe në promovimin e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Wang u ndal gjithashtu në përparimin e bashkëpunimit mes Kinës e Iranit në të gjitha fushat, për t'i shtuar përmbajtje të reja partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve.
Ai tha se Kina do të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re iraniane për të dhënë mbështetje të ndërsjellë të vendosur në çështjet që kanë të bëjnë me interesat themelorë të njëri-tjetrit. (Wang Lei/ Artan)